Kthehet në rigjykim rasti i ish-ministrave të Kulturës, Haraçija e Beqiri

Gjykata e Apelit ka marrë vendim që ta kthej në rigjykim rastin e dy ish-ministrave të Kulturës, Astrit Haraçija e Valton Beqiri.

Burime të «Kohës Ditore» brenda Gjykatës së Apelit kanë thënë se paneli i gjyqtareve ka vlerësuar se janë gjetur shkelje procedurale.

Gjithashtu, Apeli ka vlerësuar se Gjykata Themelore nuk ka dhënë arsye mbi faktet vendimtare.

Ndryshe, javën e kaluar, dy ish-ministrat e Kulturës, Astrit Haraçija dhe Valton Beqiri i kanë kërkuar Gjykatës së Apelit që ta hedh poshtë vendimin e Gjykatës Themelore, e cila i ka dënuar vitin e kaluar me 10 muaj burgim me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ata, bashkë edhe me aktorin, Armond Morina, i cili është dënuar me 6 muaj burgim, janë paraqitur të më 1 qershor në gjykatë ku janë shqyrtuar ankesat e tyre, por edhe ankesa e prokurorisë, ka shkruar “Koha Ditore” në numrin e datës 3 qershor.

Në seancë kishte munguar i akuzuari tjetër, Nehat Fejza, i cili ishte shpallur i pafajshëm në shkallën e parë. Këta të dy akuzohen për mashtrim në detyrë.

Haraçija dhe Beqiri u shpallën fajtorë për përgjegjësinë që kishin si ministra për ndarjen e 100.000 eurove për kompaninë e Armond Morinës, «Morina Films» që kishte premtuar realizimin e filmit të quajtur “Mysafir në sofër”, e që nuk ishte realizuar.