Kryevepër qesharake

Nonda Bulka me bashkëshorten.



Zemra njerëzore ndahet më dysh. Mënjanë lot e psherëtima; më tjetrën, të qeshura dhe gëzime. Mënjanë tragjedia. Balzaku ka pikturuar tragjedinë, Molieri komedinë. Balzaku dhe Molieri së bashku, njerinë. Njerinë me të mirat dhe të këqiat e tij, njerinë qesharak, tragjik, të lumtur, fatkeq, dinak, të sinqertë, hipokrit, të mënçëm, budalla, njerinë të rrahur prej dallgëve të shkumëzuara të jetës, ose të favorizuar prej fatit.

Brumi prej të cilit jemi gatuar është i ëmbël dhe i hidhur. Ka mjaltë, por ka edhe helm. Burri hallexhi mendohet si do t’ja nxjerrë përtej krizës; gruaja kërkon kapello të modës. Kontrast i dy seksevet. Seksi i dobët s’e ndjen kollaj tragjedinë e jetës.

Çdo gjë bën kontrast në këtë botë. Bujku punon, lëron, mbjell e korr; por hambari i bujkut është bosh. Shumë njerëz as mbjellin, as korrin, por hambarin e kanë plot. Kontrast social.

Shoh përpara bashkisë një grumbull fshatarësh me thasë bosh (sikundër dhe barku), që kanë ardhur të marrin misër. Presin sa t’u vijë radha: dhe në atë kohë ja thonë këngës, ashtu si në kohërat e bollëkut. Fshatari që kërkon misër është fshatari që vuan, që lufton gryka grykës me jetën; fshatari që këndon është njeriu i Molierit, njeriu tragjikomik, i lumtur në minutat më të errëta të jetës së tij. Po të bashkojmë fshatarin që këndon, kemi njerinë me gjithë kuptimin e fjalës. Kontrast i zemrës njerëzore.

Dashuria e ëmbël, e qetë, e bekuar, plot premtime dhe dëfrime, që përfundon shpesh herë me tradhëti, krisma revolveri dhe gjak, a nuk është dhe ajo një nga kontrastet më të padrejta e më të pakuptueshme, që Natyra pa shpirt i ka dhuruar zemrës njerëzore?

Kontrast i trifishtë, madhështor, tragjik dhe qesharak, a nuk është ai që prezanton konferenca e çarmatimit, ku secilido, me koburen plot në dorë, kërkon zhdukjen e luftës, pa dashur t’i hedhë armët poshtë?

Në luftën e madhe, një prift me ungjill në dorë u thotë ushtarëvet: «Zoti bekoftë bajonetat tuaja që të futen thellë e më thellë në zorrët e armiqvet barbarë». Këto tha prifti, por ungjilli s’thotë ashtu. Bile, në mos gabohem thotë të kundërtën. Shumë herë prifti dhe ungjilli bien në mosmarrëveshje. Ç’kontrast i Shenjtë! Kështu është kurdisur bota. Është kalbur pema nga rrënja. Eva u gënjye prej lanetit. Dhe Zoti që krijoi Evën, e dinte që laneti do të djallëzonte kreaturën e tij të pafajëshme. Atëherë, pse i dha fuqi lanetit që të gënjejë njerinë?

Dikur një qen zuri një lepur. Menjanë e puthte, më tjetrën e kafshonte; dhe lepuri i padurueshëm i thotë: – Pse më puth dhe më kafshon? Në më puth se më do, mos më kafsho, lermë të lirë. Në s’më do, mos më puth, merma shpirtin njëherë e mirë.

Kështu është dhe meseleja e njeriut. Zoti mënjanë na krijoi, në tjetrën na mallkoi. Në shënjtërinë e tij të pafundme, Zoti e filloi botën me kontrast.

Gazeta e Korçës, 23 qershor 1932