Kryetarja e Kroacisë kërkon falje për shpërndarjen e çokollatave nga Serbia

Në përvjetorin e fillimit të konfliktit në Dubrovnik mes agresorëve serbë dhe forcave mbrojtëse kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq u ka shpërndarë fëmijëve kroatë çokollata nga Serbia.

Kolinda Grabar-Kitaroviq, kryetare e Kroacisë.



Në vjeshtën e vitit 1991 forcat serbe të përbëra nga Armata Popullore e Jugosllavisë (APJ), grupet çetnike dhe vullnetarët malazezë filluan të rrethojnë nga toka dhe deti Dubrovnikun, qytetin kroat të mbrojtur nga UNESCO. Mbi dy mijë predha të kalibrave të ndryshëm ranë mbi këtë qytet të njohur në mbarë botën si qendër e turizmit dhe jetës mondane. Më 1 tetor 1991 serbët ndërprenë lidhjet telefonike, rrymën dhe furnizimin me ujë të Dubrovnikut. Përleshjet më të ashpra u zhvilluan më 6 dhjetor 1991. Atë ditë forcat serbe shkrepën 600 granata në qytetin e vjetër të Dubrovnikut. Në Kroacinë e pavarur 6 dhjetori shënohet si ditë e mbrojtjes së Dubrovnikut.

Për të kujtuar rrethimin e Dubrovnikut dje në këtë qytet qëndroi edhe kryetarja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviq. Me atë rast ajo u shpërndau fëmijëve të Dubrovnikut çokollata – të prodhuara në Serbi. Për këtë «aksident» presidentja Grabar-Kitaroviq u ka kërkuar falje prindërve, duke thënë se edhe vetë ishte e befasuar pakëndshëm. «Do t’ju kërkojmë falje prindërve, do t’i zëvendësojmë çokollatat me prodhime kroate», deklaroi presidentja. Ajo u kishte shpërndara çokollata fëmijëve në një kopsht dhe kishte ngjallur reagimin e prindërve, pasi ata kishin kuptuar se bëhej fjalë për ëmbëlsira të prodhuara në Serbi.

Grabar-Kitaroviq tha se nuk e kishte verifikuar personalisht përmbajtjen e pakove, të cilat ua kishte shpërndarë fëmijëve. «Jam shumë e mllefosur për këtë sepse unë mbështes fushatën <të blejmë prodhime kroate>. Në ato pako kishte edhe prodhime që nuk qenë prodhime kroate, por që gjenden në tregun kroat. Kryetarja kroate duhet të mbështes prodhimet kroate dhe kjo s’do të ndodhë më», tha ajo. (-lli)