Kryetarët e fshatrave të Prizrenit kërkojnë përcaktimin e statusit të tyre




Përfaqësuesit e fshatrave të caktuara të Komunës së Prizrenit kanë kërkuar nga autoritetet komunale që përfundimisht të definohet statusi ligjor i tyre, sikurse edhe forma e kompensimit për shpenzimet dhe angazhimin në terren.

 

Sipas tyre janë bërë më shumë se 15 vjet që kur ata veprojnë pa një bazë ligjore dhe qartësim të detyrave e kompetencave që kanë, shkruan sot Koha Ditore.

Refki Ademaj nga fshati Muradem ka bërë të ditur se për shumë vite kjo çështje ka mbetur e mjegullt dhe se ka ardhur koha që institucionet kompetente të vendosin rregull.

«Do të ishte mirë që së paku shpenzimet e rrugës apo mëditjes të parashihen për përfaqësuesit e fshatrave, kur ftohen për dëgjime publike apo takime të ngjashme», ka thënë ai. Edhe Fadil Berisha nga Landovica ka theksuar se kompensimi i disa shpenzimeve minimale të përfaqësuesve të fshatrave do të ishte i dobishëm si për komunën ashtu edhe për komunitetin.