Kryesia e Kuvendit mblidhet për të caktuar seancën për EULEX-in

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka paralajmëruar mbajtjen e një mbledhjeje me kryetarët e grupeve parlamentare për në orën 11:15 të ditës së sotme.

Në këtë mbledhje pritet të caktohet mbajtja e një seance të jashtëzakonshme në të cilën do të diskutohet vazhdimi i mandatit të Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, pasi që, seanca e rregullt e së enjtes do të jetë e vonë për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

Dje, Qeveria e Kosovës mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme në orën 18:00, ku miratoi Projektligjin për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, (EULEX Kosova).

Zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, prezantoi projektligjin në fjalë, duke thënë se ligji i ri për EULEX-in do të quhet Ligji për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, ndërsa u bë me dije se i njëjti projektligj do të shkojë në Kuvend për votim, raporton Koha.net.

Ndërkaq, projektligji i ri i Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, ka pësuar disa ndryshime. Burimet të televizionit publik kanë thënë se me këtë ndryshim parashihet se këtij misioni i pamundësohet që të hapë raste të reja për krimet e luftës dhe korrupsionit, para se ato t’i fillojë prokuroria e shtetit.

Ky ndryshim është vendosur, edhe pse Brukseli nuk u ka kthyer letër institucioneve të Kosovës.

Ndërkohë, një burim qeveritar në kushte anonimiteti i ka thënë portalit Koha.net se “Misioni i EULEX-it ka ardhur në Kosovë me ftesë të Presidentit.

«Ftesa e Presidentit parasheh edhe kompetencat e Misionit, të cilat me ligjin e ri janë dukshëm më të vogla sesa që i ka pasur deri më tash EULEX-i», ka thënë ky burim, pa mundur që të precizojë më shumë.

Kujtojmë se kompetencat e EULEX-it në drejtësinë e Kosovës përfundojnë të mërkurën në orën 23:59, që do të thotë se Kuvendi do të duhet të mblidhet para kësaj date në një seancë të jashtëzakonshme për t’ia vazhduar mandatin këtij misioni.