Kryesia e BDI-së vazhdon mbledhjen – Dita «D» për koalicion me Gruevskin

Vazhdon mledhja e Bashkimit Demokratik për Integrim lidhur me koalicionin qeversisës me VMRO-në. Thuhet se shumica e anëtarëve të kryesisë qendrore të partisë janë kundër një koalicioni me këtë parti. Megjithatë epilogu mund të jetë një koalicion me VMRO-në, por jo me Gruevskin kryeministër.




Sot, të dielën e 29 janarit, në mesditë anëtarët e kryesisë qendrore të BDI-së kanë hyrë në mbledhjen finale në të cilën duhet të vendosin nëse do të hyjnë në koalicion me Nikolla Gruevskin. Fiks në mesnatë përfundon afati që Gruevski ka në dipozicion për të propozuar në Kuvend përbërjen e re qeveritare, në të kundërtën duhet ta kthejë mandatin.

Në selinë e BDI-së në Tetovë kanë ardhur të gjithë anëtarët e kryesisë qendrore, shumica prej të cilëve janë kategorikisht kundër bashkëqeverisjes me Gruevskin. Vetë kreu i partisë, Ali Ahmeti gjatë hyrjes në takim tha shkurt para gazetarëve se po zhvillohet një debat i vështirë dhe se mbledhja pritet të zgjasë deri në orët e vona.

Nga VMRO-DPMNE kanë thënë se nuk do të bëjnë asnjë koment para se BDI të dalë me një vendim të prerë nga mbledhja e sotme. Burime partiake nga dy kampet jozyrtarisht thonë se BDI mund të evitojë Gruevskin, por jo edhe VMRO-DPMNE-në. Sipas këtyre burimeve dy partnerët e deritanishëm do të vazhdojnë koalicionin, por kryeministër do të jetë shefi aktual i diplomacisë maqedonase, Nikolla Popovski. az