Kryeqyteti i kafesë

Ditari i Adriatikut (5): Në Trieste shijimi i kafesë është shndërruar qëmoti në kult. Dhe ky kult kremtohet çdo ditë.

Foto: Shutterstock

Të porositësh një kafe në viset shqiptare në Ballkan është punë e thjeshtë. «Makiato të madhe», «makiato të vogël», «espresso» (disa i thonë «ekspres»). Të porositësh një kafe në Trieste është ceremoni dhe sfidë gjuhësore. Nero quhet espressoja klasike në filxhan të vogël, Nero in B (espresso në gotë qelqi. B sugjeron fjalën «bicchiere», qelq), Deca (pa kofeinë, në filxhan), Deca in B (pa kofeinë, në gotë qelqi), Capo (expresso me qumësht), Capo Deca dhe Capo Deca in B.

Për kokë banori triestinët pinë 10 kilogramë kafe në vit – dyfish më shumë se banorët e tjerë të Italisë. Ka një arsye për këtë: përmes portit të Triestes importohet sasia më e madhe e kafesë, 2 deri në 2,5 milionë thasë në vit. «Molo VII» quhet pjesa e portit ku arrijnë anijet me kontejnerë të mbushur me kafe – nga Brazili, Vietnami, Indonezia, Kolumbia, India. Triestinët relativisht herët kanë rënë në kontakt me kafenë, janë kujdesuar që me këtë bimë të bëjnë jo vetëm tregti, por edhe të krijojnë një stil të jetës, në të cilin kafeja ka funksion social, një lloj benzine që e gjallëron trupin e njeriut pas disa orëve gjumë dhe kështu ndikon që kafehanet të shndërrohen në tribuna debati.

Kush është fajtor për tërmetin e fundit në Itali? Qeveria! Përse ka rënë niveli i televizioneve italiane? Për shkak të Silvio Berlusconit! Përse politika në Itali është paradë kakofonie? Sepse të tillë e ka bërë Silvio Berlusconi! Përse veriu i Italisë punon dhe jugu vetëm nga mafia, subvencionet dhe kontrabanda rron? Kështu flitet në baret e Triestes dhe pas dy gllënjkave gota e Nero in B është zbrazur. «Kamerier, edhe dy, per favore».

Në vitin 1933 hungarezi Francesco Illy themeloi në Trieste firmën Illy, sot të njohur në mbarë botën për prodhimin dhe distribucionin e kafesë. Që nga viti 1999 në Trieste ekziston edhe Universiteti i Kafesë Illy, në të cilin baristë (mjeshtër të kafesë) nga mbarë bota përsosin zanatin e përgatitjes së kafesë. Për shembull: për një espresso të mirë temperatura e ujit duhet të jetë 91 gradë, shtypja 9,5 bar, mbushja e filxhanit s’duhet të zgjas më shumë se 30 sekonda.

Nga shkolla italiane e përgatitjes së kafesë ka mësuar edhe Nik Oroshi, një shqiptar nga Zagrebi, i cili në rrugën Ilica 65 para 11 vitesh ka hapur Eliscaffe, një bar për kafe. Natyrisht këtu kafeja edhe piqet, ndryshe s’do të mbretëronte atmosferë pak si në Trieste. Për Eliscaffe kanë shkruar gazeta të famshme si New York Times dhe Financial Times.

Kur në vitin 1719 perandori austriak Karli i VI-të e shpalli Triesten port të lirë tregtar, ai ndoshta nuk e dinte se kishte marrë vendim për themelimin e një kulture të re në Europë: kulturën e kafesë. Me hapjen e portit në Trieste erdhën tregtarët, pas tyre shkrimtarët, piktorët, aktorët. Kështu u bë Trieste qytet me plot sharm. Dhe kryeqytet i kafesë.