Kryeqyteti edhe sivjet pa riorganizim të trafikut urban

Ndonëse sivjet ishin pritur 30 autobusë të rinj, në bazë të fazës së procedurës, kryeqyteti do të vazhdojë edhe tutje të mbijetojë me autobusë të arnuar dhe pa riorganizim të trafikut urban.




Riorganizimi i trafikut urban në Komunë të Prishtinës ishte proklamuar që nga viti 2009, por prej atëherë nuk ka ndryshuar asgjë, shkruan sot «Koha Ditore». Faktin se edhe sivjet do të ketë vetëm procedura në këtë drejtim e kanë pranuar edhe vetë autoritetet komunale, të cilët kanë shfaqur dyshimin se autobusët e rinj mund të sigurohen sivjet.

«Projekti fillon së zbatuari me ardhjen e autobusëve të rinj, që pritet të jetë këtë fundvit ose fillimi i vitit tjetër, në mënyrë që në pranverën e vitit 2016 të përfundojë si reformë», ka thënë nënkryetari i Komunës së Prishtinës, njëherësh drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Dardan Sejdiu. Sipas tij, tenderi është shpallur dhe se tashti janë në fazën finale të dorëzimit të dokumentacionit tenderues nga kompanitë.

«Interesimi është i jashtëzakonshëm dhe procesi është duke shkuar në rregull. Vlerësimi i tenderit do të bëhet gjatë muajit tetor», ka thënë Sejdiu. Blerja e 51 autobusëve të rinj për ndërmarrjen publike, për transportin publik të udhëtarëve «Trafiku Urban», mendohet të jetë edhe fillimi i riorganizimit të trafikut urban në kryeqytet, që nënkupton mosmbetjen e asnjë zone e fshati pa transport të udhëtarëve, pavarësisht nëse ka mbulesë ekonomike apo jo.

«Duke u siguruar që ‘Trafiku Urban’ ka një flotë të mirë dhe të qëndrueshme, ne sigurohemi që çdo cep i komunës të ketë transport publik të rregullt dhe në funksion të qytetarëve», ka deklaruar Sejdiu, duke premtuar kështu se asnjë lagje apo fshat në Komunën e Prishtinës nuk do të jetë pa transport publik, deri në fund të vitit 2016.

Nga ana tjetër, qytetarët vazhdojnë të ankohen për autobusët e vjetër në kryeqytet, të cilët pos që janë të pasigurt, janë duke e ndotur skajshmërisht edhe ambientin.

Vërejtje ndaj procesit të riorganizimit urban ka bërë edhe ish-drejtori i Shërbimeve Publike në qeverisjen e LDK-së, Agim Gashi. Ai ka theksuar se tenderimi për blerjen e autobusëve të rinj ka qenë i dorëzuar për procedurë të vlerësimit, derisa ai ka qenë drejtor.

«Me ardhjen në pushtet të Shpend Ahmetit, procedurat janë ndërprerë me pretekstin se autobusët kanë dashur të blihen nga Ukraina apo me pjesë nga Serbia», ka thënë Gashi, sipas të cilit e gjithë kjo është bërë me qëllim të pengimit të procesit.

Madje Gashi deklaron se i tërë procesi i tashëm është përgatitur në bazë të atij që e kishte përgatitur qeverisja e LDK-së. «Ata nuk e kanë ndryshuar asgjë as në rregulloren e linjave e as në kurrgjë tjetër. Tashti, për shkak se kanë marrë kredi nga BERZH-i, por thonë se po bëjnë projekt të ri. Ai është i njëjtë, sepse edhe ne kur e kemi bërë projektin, 6 muaj me ne ka bashkëpunuar një ekspert i USAID-it.

«Ndryshimi i vetëm i projektit është se i është vënë emri i Shpend Ahmetit», ka thënë.