Kryeprokurori Lumezi nuk kishte asnjë informacion për hetimet ndaj Limajt

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar pas një paraqitje televizive të kryetarit të Nismës për Kosovë, Fatmir Limaj, ku ka thënë se Aleksander Lumezi nuk veproi për të kërkuar përgjegjësi ndaj prokurorëve të tij që po abuzojnë me drejtësinë ndaj tij.




Në reagim është thënë se që nga fillimi i hetimeve për rastin kundër Fatmir Limajt, e deri në përfundim të tyre, nuk është përfshirë asnjë prokuror vendas i Republikës së Kosovës dhe këtë e kanë bërë prokurorët e EULEX-it.

E gjitha çka ka bërë Zyra e Kryeprokurorit, ishte dërgimi i njoftimit për media të përgatitur nga EULEX-i, me kërkesë të këtyre të fundit, thuhet në letër-sqarim.

Në letër-sqarim thuhet se zyra e kryeprokurorit nuk ka pasur asnjë informacion lidhur me rastin dhe se kryeprokurori nuk ka kompetencë në lëndët, të cilat zhvillohen në procedura penale nga prokurorët e EULEX-it, transmeton Koha.net.

Mos pasjen e kompetencave në këto lëndë, Zyra e Kryeprokurorit e mbështetë në nenin 12 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, i cili ligj ka shtuar nenin 31/A në ligjin bazik.

«Për të gjitha rastet për të cilat është nxjerrë aktvendimi për fillimin e hetimeve para datës 30 maj 2014, me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Ndërlidhen me Përfundimin e Mandatit të EULEX-it, kanë autorizime dhe përgjegjësi për zhvillimin e hetimeve dhe ndjekjen penale, vetëm prokurorët e EULEX-it dhe gjatë kohëzgjatjes së mandatit të EULEX- it në Republikën e Kosovës kryeprokurori i Shtetit nuk mund të marrë në juridiksion rastet që i janë caktuar një prokurori të EULEX-it dhe nuk mund të ndërhyj në pavarësinë e vendimmarrjes. Kjo është e rregulluar me nenin 12 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, i cili ligj ka shtuar nenin 31/A në ligjin bazik. Ky ligj është aprovuar nga vetë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës», thuhet krejt në fund të letër-sqarimit të Zyrës së Kryeprokurorit.