Kryeneç e i papërgjegjshëm

Sjelljet dhe veprimet e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk e dallojnë atë nga burrat kryeneç e të papërgjegjshëm. Të tillë hasim në çdo cep të Kosovës. Në kushte normale, të tillët do t’i njihnim vetëm nëpër ahengje odash, por assesi jo në drejtimin e një qeverie të një shteti.



Është kryeneç, gjaknxehtë. Të shumtën e kohës i paarsyeshëm. Nuk i jep llogari askujt, aq më pak «shtetit». Në fund të fundit, burrë është! E burri që është burrë flet pak e vepron. Edhe kur këto veprime janë tërësisht të dëmshme për rrethin e tij.

Të gjithë njohim burra të tillë në familjet, lagjet, katundet e rrethet tona. Mund të mos jenë të ulur këmbëkryq nëpër oda duke mbështjellë duhan e duke kuvenduar me burra, por në thelb mbeten të njëjtë. Burri i tillë vendosë vetë për shtëpi e katandi. Ai nuk ka nevojë për të diskutuar me bashkëshorten apo fëmijët për vendimet që merr. Edhe nëse ato vendime e prekin tërë familjen. Burri vendosë si apo sa shpenzohet buxheti i familjes, çka është e domosdoshme të rinovohet ose çka jo në shtëpi, sa para ndahen për shkollim, sa për dasma e sa për syneti. Ai vendosë a ka nevojë familja të shkojë në pushime, a ka nevojë për një tavolinë apo televizor të ri. Së këndejmi, atij nuk ka kush i kërkon llogari. Mbi të gjitha, nuk guxon kush t’i kërkojë llogari. Ai i di të gjitha! Edhe nëse pyetet për ndonjë nga këto veprime, përgjigjet i ka të prera : për qejf!

Ai e ka zakon të zgjohet herët në mëngjes. Atëherë kur ende fle pjesa tjetër e familjes e rrethit. Atë e gjen në katër të mëngjesit tek pret pa pikë mëshire drunj e lisa nëpër pyjet e vendit. Pra, jo të gjitha punët e mëngjesit janë të mira. Ai është i papërgjegjshëm! Sa herë që lezetohet nga tingujt e sharkisë e të çiftelisë në sofër, zbrazë pushkë e allti në ajër. «Hasmohet» me komshinjtë e me dashamirë se breshëri i plumbave dhe i pallavrave të tij bien shpesh në çatitë e shtëpive të tyre. Por nuk ndalet pushka e burrit. Gjuan nëpër dasma, syneti e 28 nëntor! E kemi traditë, thotë ai.

Për të familja dhe shtëpia janë pronë e tij. Nëse gjatë një dimri nuk harxhohen shumë dru për ngrohje, ai pa një pa dy i blen vetes një revolver të ri. Ka kursyer dru, në fund të fundit. Shtëpia ndërkohë mund të mos ketë një dritare të vetme të izoluar mirë. Por stolia e brezit të burrit është pushka. Ai është në gjendje ta ngujojë tërë familjen në shtëpi, për të marrë gjakun e fqinjit të afërt e të largët, për çështje «t’mexhës». Është në gjendje të kallë luftë për dy a tre gardhe. Vetëm ai dhe lloji i tij e quajnë një veprim të tillë krenari e burrit (lexo: krenari prej fallusi).

Ai është kryeneç. Nuk i ndërron fjalët edhe sikur tokë e qiell të bëhen bashkë. Edhe kur e ka tërësisht gabim. Edhe kur fjalët e tij e dëmtojnë tërë familjen e tij. Burri që është burrë flet njëherë. Atë e karakterizon rregulli e disiplina. Në shtëpinë e tij punët dhe rregulli janë të një modeli gati ushtarak. Mirëpo as disiplina në vetvete nuk është detyrimisht virtyt i mirë. Familjarët e tij, jetojnë sipas një sistemi të tillë jo se kanë ndonjë zell të paparë për punën apo se janë ithtarë të rregullit. Por, se ia kanë frikën! Ia kanë frikën, ashtu siç ia kanë respektin dhe shërbimin deri në flijim. Se është kryefamiljar! Se është burrë! Dhe jo burrë dosido, por burrë me sedër.

***

Në secilin nga shembujt e mësipërm, burri do të mund të zëvendësohej me kryeministrin aktual të Kosovës, Ramush Haradinaj. Shumë medie dhe opinionbërës e mbështetën dhe duartrokitën fitoren e tij duke u thirrur pikërisht në një varg cilësish të tij, të cilat, në vetvete nuk janë gjëra për t’u mburrë. «Është i fjalës!» «Zgjohet herët e është punëtor!» «Ka disiplinë!»

Kryenëvete, kryeministri u falë borxhet kompanive private. Pse të mos i falë. Sikur ta ketë shtetin pronë private, kryeministri e tha vetë se paska kursyer miliona nga marrëveshja për termocentralin. Së këndejmi, pse të mos i bëjë edhe ai një palë pushime për qejfi. Pse të mos i bëjë? Le të kushtojnë sa të kushtojnë. Me to merren mediat. Kryeministri ofendon mësimdhënësit, duke iu vënë në pah mungesën e profesionalizmit dhe etikës në punë. Vetë kryeministri që nuk e di sa zëvendësministra ka qeveria e tij. Me fjalë të tjera, vetë etika. Kryeministri i dyfishon rrogën vetes. Pse të mos e bëjë? Të gjitha këto ia ka borxh Kosova. Edhe rrogën e dyfishuar, edhe armatën me zëvendësministra, këshilltarë e oborrtarë të tjerë. Ia ka borxh Kosova atij dhe secilit që ka marrë pushkë në dorë. Atyre në 1999 dhe të tjerëve nëpër oda në 2018-tën.