Kryeministrja shkon në pushim të lehonisë

Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern do të braktisë postin – me një arsye të rëndësishme.

Jacinda Ardern.



Jacinda Ardern, 37-vjeçare, politikane e Zelandës së Re, shefe e partisë laburiste, menjëherë pasi mori postin e kryeministres, u ballafaqua me pyetjen e një moderatori televiziv: «A planifikoni të keni fëmijë?» Një pyetje tillë një burri nuk do t’i bëhej kurrë. Pyetja tregon se perceptimi për gratë në politikë edhe në vende përparimtare si Zelanda e Re mbetet i çuditshëm. Ardren e kaloi situatën e pakëndshme me një vërejtje: i tha gazetarit se pyetje të tilla nuk mund t’i bëhen askujt në vendin e punës – pa marrë parasysh a është kryeministre apo kameriere.

Çfarë ka të bëjë çështja e fëmijëve me aftësinë për të ushtruar një profesion? Asgjë! Në janar Ardren u përgjigj në pyetjen e gazetarit publikisht, përmes Twitterit: «Ekipi ynë po rritet nga dy në tre veta». Ardren tashmë ishte kryeministre e Zelandës së Re, më e reja kryeministre e botës. Ajo është kryeministrja e dytë pas Benazir Butos në Pakistan, që bëhet nënë ndërsa është kryeministre.

Jacinda Ardern dëshiron të punojë deri nga mesi i qershorit, domethënë edhe pak ditë, pastaj do të shkojë në pushim të lehonisë. Gjashtë javë, së paku. Në post do ta zëvendësojë Winston Petres, ai këtë punë ka – është zëvendësi i Jacinda Ardern. Pas gjashtë javëve pranë foshnjës kryeministrja pritet të kthehet në punë dhe për fëmijën do të kujdeset partneri i saj Clark Gayford, i cili ka një punë më pak të vështirë se Jacinda Ardern: ai moderon në televizion një emision për peshkim.

Ardern u lind në vitin 1980; babai i saj ishte polic, e ëma punëtore në një mensë. E bija e tyre konsiderohet politikane pragmatike, e interesuar për mbrojtjen e ambientit, krijimin e mundësive më të mira për banim, ajo ka startuar një program për të luftuar varfërinë e fëmijëve. Jacinda Ardern u anëtarësua në partinë laburiste në moshën 17-vjeçare; pasi studioi komunikimin ajo u bë këshilltare e kryeministres së Zelandës së Re, Helen Clark, pastaj e kryeministrit britanik Tony Blair. Më 2008 u zgjodh deputete – më e reja në historinë e Zelandës së Re. Pastaj u bë kryeministrja më e re, tani në këtë post do të bëhet nënë. Një grua e premierave. (dp)