Kryeministrja serbe pa makijazh më trondit edhe mua

Harrojeni çështjen si lesbike. Ç'ka është vërtet shqetësuese për Ana Brnabiq është se ajo nuk vë buzëkuq apo laps sysh.

Ana Brnabiq, kryeministrja e re e Serbisë. Foto: AP



Më vjen shumë keq për deputetët serbë. Po, më dëgjuat mirë. Më vjen keq për ta.

Nuk është çudi që presidenti Aleksandër Vuçiq e pati të vështirë me sa duket, të bindë deputetët e partisë së tij progresive të votojnë për Ana Brnabiq si kryeministre.

Ishte mjaft gjë e keqe për ta që ajo ishte grua. Edhe më keq akoma, ajo dukej se nuk ndjente tërheqje fizike për atë bishë mitike leshatore, mashkullin serb.

Më keq ende, sërish – nëse mund të bëhet më keq – ajo nuk i bindet Rregullit Nr. 1 të Gruas Serbe – ajo nuk vë aspak makijazh.

Atyre që nuk kanë jetuar kurrë në Serbi, siç bëra unë për shtatë vjet, duhet t’i shpjegohem.

Ashtu sikurse në Arabinë Saudite një gruaje nuk i lejohet të dalë nga shtëpia pa një rojëtar, në Serbi asnjë grua nuk del nga shtëpia pa u mbuluar me fondatinë, buzëkuq dhe penel.

E di këtë nga eksperienca ime personale, pasi kam ndarë një apartament në Beograd në vitet 1990 për tre vjet me Tipin A (standardi) i Gruas Serbe të quajtur Milica.

Jo vetëm që Milica nuk largohej kurrë nga shtëpia pa parzmoren e saj lustruese, asnjë qenie edhe brenda shtëpisë nuk e pa ndonjëherë atë pa tualet.

Çdo ditë, përpara se të lindte dielli, i zhytur në gjumë, dëgjoja derën e banjos të mbyllej dhe rrjedhjen e dushit.

Ky ishte thjesht fillimi i një rendi një-orësh të larjes, pastrimit dhe ngjyrosjes, në fund të të cilit ajo shfaqej me një pamje triumfuese, shkëlqyese dhe gati për botën.

Ah, do të thoni ju, kjo për shkak se i duhej: ishte një stjuardesë apo menaxhere e një hoteli luksoz.

Në fakt, jo, ajo kishte një punë shumë modeste si shitëse në një cep të errët të Beogradit. Dyshoj që mendimet e kolegëve të saj për këtë çështje të ishin motivi kryesor për regjimin e saj.

Epo, do të thoni, ishte e qetë në fundjava, apo jo?

Gaboheni. Pavarësisht faktit se fundjavat e Milicës nuk dukej se përfshinin diçka më entuziastmuese se marrja e autobusit për në Obrenovac për të parë prindërit dhe gjyshërit e saj – nuk e pashë kurrë të hipte në autobus më pak e kuruar se ditët e javës.

Do të mendoni se ajo ishte ekstrem – një e fiksuar. Aspak. Nuk kam takuar kurrë një grua serbe pa makijazh; gratë në treg nuk dukeshin se merreshin shumë me këtë – por do të thosha që kam takuar shumë pak prej tyre.

Më bënte çudi se sa të vendosur i përmbaheshin standardeve në këtë aspekt edhe në situatat më ekstreme.

Më bëri përshtypje veçanërisht zhvendosja e një familje refugjate nga Knin në apartamentin ngjitur. Ata ishin larguar nga Kroacia me vetëm disa valixhe dhe një ditë apo dy pas mbërritjes, Milica dhe unë shkuam t’u uronim mirëseardhjen me një tortë.

Mamaja u mrekullua nga gjesti ynë. «Vajzave do t’u pëlqejë shumë!», mbaj mend të thoshte. «Ku janë ato?», e pyeta. «Në banjo, duke bërë makijazhin», u përgjigj ajo.

«Mirë, do të presim derisa të dalin», vazhdova unë. «Oh, mos u shqetësoni për këtë!», tha mamaja e tyre. «Do t’u duhen orë».

U befasova – nuk më bënte shumë kuptim – vënia e makijazhit. Përse? Për kë?

Por Milica pohoi me kokë, e kënaqur të shihte se rregullat e shenjta të grave serbe ruheshin.

U largova nga Serbia shumë vite më parë dhe kam humbur kontaktet me Milicën. Por e imagjinoj atë, që sheh lajmet e trazuar nga kryeministrja e re pa buzëkuq dhe penel sysh.

Sa për mua, ndjej se nuk e njoh më Serbinë. Një serbe që nuk e di se çfarë është Maybelline – dhe as që i intereson? Ku po shkon bota?

(https://www.reporter.al/kryeministrja-serbe-pa-makijazh-me-trondit-edhe-mua/)