Kryeministri thotë se nuk do t’i përzihet në punë AKP-së

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa vizitoi Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ku u prit nga drejtori i Bordit, Petrit Gashi dhe drejtuesit e tjerë të bordit dhe menaxhmentit.




Mustafa ka përgëzua për punë stafin e AKP-së, duke shtuar se gjatë gjashtë muajve është bërë një punë mjaft mirë, e mbështetur në ligj, transmeton Koha.net. Mustafa ka thënë se në asnjë rast Qeveria nuk do t’i përzihet në punën e AKP-së.

«Atë që e kërkuam nga Bordi, është që të zbatohet ligji në përpikëri gjatë të gjitha proceseve që do t’i zbatojë AKP-ja dhe atyre që kanë mbetur, si dhe proceseve të ardhshme. Qeveria në asnjë rast nuk do të përzihet në punën e agjencionit, sepse është një agjencion i pavarur, i cili e bartë përgjegjësinë e plotë për punë, por do ta mbështesim krejtësisht në kërkesat që mund t’i ketë agjencioni prej nesh sa i përket ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjit dhe infrastrukturës tjetër, që duhet t’i bëjnë përmes Parlamentit të Republikës së Kosovës», tha i pari i Qeverisë së Kosovës, transmeton Koha.net.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu gjithashtu interesimin që të bëhet një plan në të cilin do të shihet se si do të përmbyllet puna e agjencionit pas përfundimit të të gjitha çështjeve në fushëveprim.

«Biseduam gjithashtu edhe për zgjidhjen e çështjes së ‘Trepçës’, sepse është një punë që po bëhet bashkërisht me agjencionin e që e shohim si interes të përgjithshëm për vendin, por, diskutuam edhe për çështje të tjera që po shtrohen në opinion. Unë mendoj se është një situatë e re që mund të shfrytëzohet. Është një vullnet që të punohet bashkërisht. Është bërë një punë e mrekullueshme sa i përket lirimit të pronave të uzurpuara, të cilat kryesisht kanë qenë të blera nga bashkatdhetarët tanë jashtë dhe blerësit tjerë, por tash u është dhënë mundësia që t’i marrin dhe t’i përdorin asetet që i kanë blerë më parë dhe t’i vejnë në shfrytëzim», tha kryeministri Mustafa.

Kryesuesi i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, tha se gjatë takimit me kryeministrin është diskutuar për proceset të cilat janë duke u zhvilluar gjatë gjashtë muajve të kaluar.

«Gjithashtu diskutuam për sfidat, për punët e përbashkëta që kemi, për një numër çështjesh që ne si Agjenci duhet koordinuar me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që sa më shpejt ta përmbyllim procesin e privatizimit», tha Gashi.