Kryeministri tërhiqet nga plani i tij për ushtrinë

Kryeministri Isa Mustafa është zmbrapsur nga përcaktimi për ta ndërruar qasjen qeveritare për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, të cilën e kishte publikuar pas dështimit për ta bindur partnerin serb qeverisës që të votojë ndryshimet kushtetuese. Në New York i janë kumtuar kushtet për ushtrinë.




«Tani janë të njohura kushtet të cilat ne duhet t’i plotësojmë që ta bëjmë këtë transformim. Duhet të votohen ndryshimet kushtetuese me dy të tretat e dyfishta në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe për këtë neve na nevojiten jo vetëm dy të tretat e të gjithë deputetëve, por edhe dy të tretat e pakicave që janë në Kuvend», ka thënë Mustafa, shkruan sot Koha Ditore.

«Kam biseduar në fillim të këtij viti edhe në selinë e NATO-s në Bruksel, me sekretarin e NATO-s, lidhur me transformimin dhe më është thënë qartë se ata e përkrahin transformimin, por ky transformim nuk mund të bëhet përmes rrezikimit të pajtueshmërisë së brendshme», ka theksuar ai një ditë më parë.

Kreu i Qeverisë ka shprehur besimin se transformimi do të ndodhë. Por nuk ka dhënë një afat brenda të cilit mund të ndodhë kjo. Ka thënë se në këtë proces e pret edhe ndihmën amerikane e evropiane.

Gati dy muaj më parë Mustafa pati paralajmëruar se, në rast të mungesës së mirëkuptimit për amendamente kushtetuese, të cilat e transformojnë FSK-në në FAK, Qeveria do të procedojë me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi FSK-në, me të cilin FSK-ja do të merrte të gjitha përgjegjësitë që ishin të parapara për FAK. Kishte paralajmëruar edhe ndryshimin e emrit të Ministrisë së FSK-së.

Prej kohësh Qeveria ka përgatitur amendamentin e edhe ligjin, nëpërmjet të të cilëve krijohej baza legale për transformimin. Mbështetur në pakon e ndryshimeve ligjore, FAK-u do të ishte forca kombëtare ushtarake, me mision për të mbrojtur sovranitetin e integritetin territorial. Do të përbëhej nga një komponent aktive prej më së shumti 5.000 pjesëtarësh dhe do të pajisej me armatim të karakterit mbrojtës. Në strukturë do të ishin: shefi i Shtabit, Shtabi i Përgjithshëm me njësitë pranështabore, Forcat Tokësore, Garda Kombëtare, Komanda e Logjistikës dhe Komanda e Doktrinës dhe e Stërvitjes.

Por në mungesë të ndryshimeve kushtetuese, emri do t’i mbetet FSK.