Kryeministri serb Vuçiq rindez debatin për «Shqipërinë e Madhe»

Pasi ish-kreu i misionit të OSBE-së në Kosovë tha se ai po punon në një projekt për të bashkuar shqiptarët, lideri Serb Aleksandër Vuçiq e akuzoi atë se po lobon për një «Shqipëri të Madhe».

Aleksandër Vuçiq



Kryeministri në largim dhe presidenti i ardhshëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, reagoi ashpër të martën pasi ish-kreu i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, tha se ai dëshironte të ndihmonte në bashkimin e shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri.

«Qëllimi i këtij projekti për të cilin po punoj është për të gjithë shqiptarët, në Kosovë në diasporë, në Shqipëri. Po punoj për një projekt të përbashkët për bashkimin e tyre», tha Walker të hënën gjatë një ceremonie për të shënuar 17 vjetorin e partisë së Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

«Pas pavarësisë, tani është koha për hapin përfundimtar, që të gjithë ju të bashkoheni dhe t’i kuptoni të gjitha këto arritje», shtoi Walker, sipas gazetës në internet Koha.net.

Vuçiq u përgjigj duke akuzuar Walker se po ka punuar për kauzën shqiptare gjatë kohës që ai kryesonte misionin e OSBE-së.

«Kudo dhe në çdo nivel, Serbia do ta paraqesë këtë si provë përfundimtare se qëllimi i Walker nuk ishte kurrë të mbronte të drejtat e njeriut në Kosovë, por të luftonte kundër Serbisë dhe për krijimin e një «Shqipërie të Madhe»», tha Vuçiq për agjencinë ruse të lajmeve Sputnik, sipas një raportimi të B92.

«Ai tha se, ka një plan për bashkimin e Shqipërisë, Kosovës dhe të të ashtuquajturës diasporës shqiptare. Pra, de facto, ai ka një plan për të krijuar një «Shqipëri të Madhe»», shtoi Vuçiq.

Debati vjen pas një tjetër shpërthimi zemërimi muajin e kaluar në Serbi kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sugjeroi bashkimin e mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës nëse të dy vendet ndiheshin të refuzuara nga Bashkimi Europian.

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, iu përgjigj komenteve të Ramës duke thënë se thirrjet «e pakujdesshme» për bashkimin e dy vendeve «dëmtojnë stabilitetin e rajonit».

William Walker është një figurë e respektuar ndër shqiptarët e Kosovës, sepse ai ishte zyrtari i parë ndërkombëtar që raportoi një masakër në fshatin Reçak gjatë luftës në vitin 1999.

Vitin e kaluar filloi puna për ndërtimin e një statuje në nder të tij në vendin e memorialit në fshat.

Walker, i cili në atë kohë ishte kreu i misionit të verifikimit të armëpushimit të OSBE-së në Kosovë, tha se viktimat ishin civilë dhe se vrasjet e tyre ishin një «krim kundër njerëzimit».

Qeveria e Sllobodan Millosheviqit këmbënguli megjithatë se masakra ishte organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës për të fajësuar Beogradin.

Vuçiq i përsëriti këto pretendime të martën, duke thënë de deklaratat e Walker për masakrën ishin «gënjeshtra» të treguara për t’u siguruar që NATO të vazhdonte «agresionin e saj kundër Republikës së Serbisë».

(https://www.reporter.al/kryeministri-i-serbise-rindez-debatin-per-shqiperine-e-madhe/)