Kryeministri Rama hedh në gjyq për cënim imazhi gazetarin Ylli Rakipi – ky reagon me kundërpadi

Një avokate e kryeministrit ngriti padi ndaj Rakipit në Gjykatën e Tiranës duke pretenduar se një koment i tij tetorin e kaluar i ka shkaktuar dëm imazhi Ramës dhe duke kërkuar 1 milionë lekë dëmshpërblim. Rakipi iu përgjigj me një kundërpadi duke kërkuar nga Rama 2 milionë lekë dëmshpërblim.

Ylli Rakipi.



Padia e dorëzuar në Gjykatën e Tiranës më 30 janar i referohet një komenti të gazetarit Ylli Rakipi, drejtues i emisionit «Të Paekspozuarit», i cili u ripublikua në shumë media në internet dhe ndaj të cilit, kryeministri ka pretendimin se i ka cënuar imazhin para publikut «në mënyrë të pakthyeshme». «I padituri, në një shkrim të gjatë e të artikulluar si qëndrim-vlerësim të vetin personal jashtë çdo elementi provues apo baze objektive, merr përsipër të etiketojë paditësin publikisht e në mënyrë të vazhdueshme gjatë të gjithë shkrimit me shprehjet më fyese, përçudnuese e diskredituest që njeh fjalori i gjuhës shqipe si «palaço», me një «sëmundje të përparuar…», me «deformim të madh të personalitetit» apo me «…një personaliteti të deformuar», duke vijuar me goditjen në adresë të paditësit duke përdorur shprehjet tejet banale e të rënda si «gjysmaku që dita ditës vret veten pak nga pak» e më tej me deklarimin e paditësit si «gjysmak me inteligjencë poshtë mesatares», shkruhet në padi. Në padi Rama ankohet gjithashtu për komentet e Rakipit mbi aktivitetin e tij si artist, veçanërisht për shprehjet «paraqitet nëpër galeritë e botës me zhgarravina e përpiqet të vjedhë postin e piktorit».

Rama beson se opinioni i Rakipit, i shpërndarë në media në 15 tetor 2018, ka «cënuar perceptimin e paditësit në publik në mënyrë të pakthyeshme» dhe për këtë arsye kërkon përgënjeshtrim dhe dëmshpërblim në masën 1 milionë lekë. Gjykata e Tiranës e shqyrtoi kërkesën paraprakisht më 26 shkurt dhe njoftoi të paditurin. Ky i fundit iu drejtua gjykatës të martën më 9 prill me një kundërpadi, në të cilën argumentohet se fyerjet e shumta dhe të përsëritura të kryeministrit në adresë të tij si dhe aludimi për gjobëvënie përbëjnë shpifje dhe cënim të dinjitetit të gazetarit dhe si të tilla duhet të dëmshpërblehen në masën 2 milionë lekë. «Ky gjyq është politik, është përpjekje e vazhdueshme e Ramës që unë të mbyll emisionin ‘Të Paekspozuarit’, i cili ka goditur aferat dhe koncesionet e qeverisë», deklaroi Rakipi para gazetarëve në dalje të gjykatës. «Unë dua t’ju them, se kjo është një padi e ngritur nga regjimi, i cili thjesht ndryshon në formë nga diktaturat e mëparshme», shtoi ai. Rama ka akuzuar në shumë raste median për shpifje, por kjo është hera e parë që dërgon në gjyq një gazetar. Më herët Rama i është drejtuar gjykatës për të kërkuar dënime penale për shpifje të politikanëve të opozitës apo kundërshtarëve të tij politik, gjyqe që në përgjithësi i ka humbur kur ka qenë në opozitë dhe i ka fituar kur ka qenë në qeveri.