Kryeministri Mustafa lavdëron zëvendësin e tij Thaçi për UNESCO-n

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa pas futjes së Kosovës në rendin e ditës të UNESCO-s ka lavdëruar punën e Qeverisë e në veçanti punën e MPJ-së të cilën e udhëheq Hashim Thaçi.




Ai thotë, transmeton Koha.net, se “për t’u arritur kjo, është punuar shumë në New York dhe në Paris.

Kryeministri Mustafa lidhur me këtë ka shkruar në Facebook:

«Lajmi i sotëm nga Parisi se Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s ka përfshirë në rendin e ditës kandidimin e Kosovës për anëtarësim, është shumë premtues. Kosova ka punuar shumë për këtë me shumë vende mike, është punuar shumë në New York, në Paris dhe në qendra të tjera botërore, që vendi ynë të anëtarësohet në këtë agjenci të OKB-së.

Lajmi i sotëm është një konfirmim i gëzueshëm se integrimi i Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare është një proces i cili ka marrë hov dhe i pandashëm. Qeveria dhe në veçanti MPJ, e cila ishte shumë e suksesshme në këtë proces, do të vazhdojë edhe më tutje lobimin e fuqishëm».