Kryeministri Mustafa: Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave, prioritet i Qeverisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në promovimin e Udhëzimit Administrativ për Masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët, të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Mustafa, tha se zhvillimi qëndrueshëm i vendit në të gjitha aspektet, nuk mund të realizohet pa siguruar pjesëmarrjen dhe kontributin e gjithë qytetarëve, sidomos të grave dhe vajzave, të cilat përbëjnë gjysmën e popullsisë së Kosovës, transmeton Koha.net.

«Por, para së gjithash konsideroj se ato janë faktorë tepër i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, i zhvillimit arsimor, i zhvillimit shëndetësor, kulturor dhe përgjithësisht i zhvillimit social të Kosovës», tha kryeministri.

Duke folur për qasjen e grave dhe vajzave në pronë në Kosovë, kryeministri Mustafa tha se është në një situatë që lë për të dëshiruar, pasi që pak gra dhe vajza regjistrojnë pronën në emër të tyre, e gëzojnë të drejtën e trashëgimisë dhe se kjo i vë ato në një situatë të pafavorshme ekonomike dhe financiare.

«Është një nismë e mirë që pas aprovimit të Udhëzimit kemi disa trende të cilat janë pozitive, por dëshirojmë që ato trendë të përmirësohen edhe më tutje. Andaj, ne si Qeveri kemi trajtuar jo rastësisht si prioritet strategjinë zhvillimore, të miratuar në fillim të këtij viti, duke siguruar një rritje më të madhe të qasjes së grave në pronë dhe regjistrimin e pronës në emrin e tyre», tha kryeministri Mustafa, duke folur për rëndësinë që ka miratimi në Qeveri i Udhëzimit Administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët, në emër të dy bashkëshortëve, pa pagesë.

http://i2.wp.com/cms.koha.net/cms/f/u/20160615130056509.jpg?w=640