Kryeministri maqedonas konfirmon synimet e anëtarësimit në BE dhe NATO

Në një vizitë në Bruksel, kryeministri i ri maqedonas, Zoran Zaev premtoi të rigjallëronte procesin e ngecur të anëtarësimit të vendit në NATO, me shpresat e një ftese të shpejtë.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe Presidenti i Këshillit të Europës. Foto: mk.gov



Qeveria e re e Maqedonisë do të punojë fort për të bindur BE-në që të rinisë bisedimet e pranimit deri në vjeshtë dhe gjithashtu për të adresuar kundërshtimet e Greqisë ndaj pranimit të vendit në NATO, tha kryeministri Zoran Zaev nga Brukseli ku u takua me zyrtarët e lartë të BE-së dhe NATO-s.

«Qëllimi ynë është të sigurojmë përparim të mjaftueshëm në fushat kryesore të reformës deri në vjeshtë për të bindur Komisionin Europian që të kthejë rekomandimin për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE», tha Zaev për mediat pas takimeve me Presidentin e Këshillit të Europës Donald Tusk, shefen e diplomacisë së BE-së Federica Mogherini dhe me komisionerin e BE Johannes Hahn.

Maqedonia mori rekomandim për të filluar bisedimet e pranimit në BE në vitin 2005 dhe për pak u ftua t’i bashkohej NATO-s në 2008. Megjithatë për shkak të mosmarrëveshjes së pazgjidhur të emrit me Greqinë fqinje, progresi ka mbetur në vend që nga ajo kohë.

Gjatë dy viteve të fundit, kur vendi u zhyt në një krizë të thellë politike, BE-ja vuri si kusht për rekomandimin kërkesat për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe përmbushjen e prioriteteve urgjente të reformave të hartuara në të ashtuquajturin raport Priebe.

Gjatë vizitës së tij në Bruksel, Zaev, i cili u shoqërua nga ministrja e mbrojtjes Radmila Shekerinska dhe ministri i jashtëm Nikola Dimitrov, gjithashtu takoi sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Pas takimit me Stoltenberg, Zaev tha se kishte mundësi të bëhej përparim në integrimin në NATO.

«Shpresojmë që të mund të bëhemi anëtar të NATO-s edhe nën referencën e përkohshme të Kombeve të Bashkuara [Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë]», tha Zaev.

Një alternativë tjetër, tha Zaev, është që Maqedonia të ftohet së shpejti për anëtarësim në NATO, me kusht që çështja e emrit me Greqinë të zgjidhet gjatë ratifikimit nga 29 anëtarët e NATO-s.

Disa vëzhgues besojnë se qeveria e re maqedonase mund ta përdorë interesin e shtuar të SHBA-së dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor prej ndikimit në rritje të Rusisë në rajon, për të marrë një ftesë për t’u bashkuar me NATO-n herët ose vonë.

Duke folur në emër të BE-së, Komisioneri Hahn tha se ishte i lumtur të shihte se kriza e gjatë politike në Maqedoni kishte marrë zgjidhje.

Ai theksoi rëndësinë e reformave të shpejta, veçanërisht në institucionet gjyqësore dhe të sigurisë për të lejuar sundimin e ligjit, si dhe një zgjidhje të shpejtë për mosmarrëveshjen e emrit me Greqinë.

Hahn premtoi ndihmë, duke njoftuar se do të dërgonte një grup ekspertësh të udhëhequr nga Reinhard Priebe në Maqedoni në qershor dhe korrik për të vlerësuar përparësitë e reformës dhe për të ndihmuar qeverinë. Ai gjithashtu premtoi ndihmë për mosmarrëveshjen për emrin.

«Unë mund t’ju siguroj se do të bëjmë gjithçka që kjo çështje të adresohet në mënyrë të tillë që të gjejmë një zgjidhje që na mundëson të fillojmë negociatat, me kusht që Shkupi të bëjë përparimin e nevojshëm», tha Hahn.

(https://www.reporter.al/kryeministri-maqedonas-konfirmon-synimet-e-anetaresimit-ne-be-dhe-nato/)