Kryeministri i ri maqedonas e gjen arkën e shtetit bosh dhe në borxhe

Kryeministri Zoran Zaev lajmëroi në një intervistë se buxheti i shtetit ishte shumë herë më pak nga sa kishte deklaruar VMRO DPMNE, ndërsa kjo e fundit e akuzoi Zaevin se gënjen për buxhetin dhe borxhet.

Kryeministri i ri maqedonas, Zoran Zaev. Foto: BIRN



VMRO DPMNE e akuzoi kryeministrin e ri maqedonas, Zaev se gënjeu kur tha në një intervistë televizive të martën në mbrëmje se gjeti vetëm gjashtë milionë euro në buxhetin e shtetit kur erdhi në detyrë dhe se gjithashtu zbuloi se mund të ketë rreth një miliardë euro borxh shtesë dhe të papërmendur.

«Gjendja e buxhetit që kemi hasur është shumë larg nga ajo që është thënë, nuk ka 130 milionë, por vetëm gjashtë milionë në buxhet», tha Zaev në një intervistë me Radio Televizionin e Maqedonisë, MRT.

«Borxhi publik e kishte tejkaluar pragun prej 50 për qind të PBB-së dhe ka shumë shpenzime të panevojshme. Ekziston gjithashtu një borxh i fshehur që është më i lartë se një miliard euro», tha Zaev, duke shtuar se këto janë vetëm gjetjet e tij paraprake pas marrjes së zyrës të mërkurën e kaluar.

Zaev megjithatë pohoi se pavarësisht kësaj, qeveria e tij e re do t’ia dilte të mbante të pandryshuara shpenzimet dhe të realizonte planin e saj ambicioz për një ndryshim ekonomik.

Por VMRO DPMNE, e cila ka mbajtur pushtetin që nga viti 2006, e akuzoi Zaev për «gënjeshtra» rreth financave të vendit.

«E vërteta është se qeveria e re e udhëhequr nga LSDM trashëgoi 130 milionë euro në buxhet, vetëm nëse Zaev donte të pranonte se janë zhdukur 124 milionë euro», tha partia në një deklaratë për shtyp.

Partia shtoi se Zaev ka rrezikuar vlerësimin e kreditit të vendit duke zbuluar borxhin publik që VMRO DPMNE këmbëngul se është në 45.9 për qind të PBB-së.

«Mënyra se si Zaev adreson çështjet kryesore është krejtësisht e joserioze dhe shqetësuese», shtoi VMRO DPMNE.

Social Demokratët me në krye Zaevin morën pushtetin javën e kaluar pas një krize të zgjatur politike, ku VMRO DPMNE po refuzonte për muaj të tërë të pranonte rezultatin e zgjedhjeve të 11 dhjetorit dhe të dorëzonte pushtetin.

(https://www.reporter.al/kryeministri-i-ri-maqedonas-e-gjen-arken-e-shtetit-bosh-dhe-ne-borxhe/)