Kryeministri i Kosovës dërgon në parlament demarkacionin polemik

Mes presionit ndërkombëtar, kryeministri Isa Mustafa do të dërgojë një marrëveshje polemike për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në parlamentin e vendit, ku pritet që opozita të vazhdojë kundërshtimin e ratifikimit të saj.

Kuvendi i Kosovës



Pas një bisede telefonike me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa njoftoi se qeveria e tij do të dërgojë të hënën në parlament marrëveshjen e kontestuar mbi demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

«Kryeministri Isa Mustafa dhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Hoyt Yee ranë dakord se të hënën qeveria do të dërgojë në kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi», tha një zyrtar.

Partitë opozitare si Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, kanë kundërshtuar vazhdimisht marrëveshjen me Malin e Zi që prej nënshkrimit të saj në gusht 2015, me pretendimin se i merr Kosovës sasi të konsiderueshme tokash.

Ata thonë se janë të vendosur të kundërshtojnë ratifikimin e marrëveshjes nëse arrin për votim në parlament.

«Jam i bindur se demarkacioni do të bjerë së bashku me qeverinë», tha në një konferencë për shtyp kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

«Për AAK-në është e qartë nga ana jonë se do ta kundërshtojmë këtë dhe do të ndërmarrim çdo veprim demokratik që të mos lejojmë ratifikimin e një marrëveshjeje që është në dëm të Kosovës», tha Pal Lekaj nga AAK për KTV.

Tre partitë opozitare kanë njoftuar tashmë se do të bëjnë thirrje për protesta kur marrëveshja e demarkacionit të votohet në parlament.

Pasi qeveria të dërgojë marrëveshjen në parlament, kryesia e kuvendit duhet të caktojë një datë për votim.

Koalicioni qeverisës, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk është i sigurt nëse ka votat e mjaftueshme për ta miratuar marrëveshjen pasi ka disa deputetë nga koalicioni qeverisës të cilët janë kundër marrëveshjes.

Që marrëveshja të ratifikohet, duhen 80 vota pro nga parlamenti 120 vendësh.

Marrëveshja qe caktuar të votohej në parlament më 1 shtator, por mes protestave të opozitës jashtë ndërtesës së kuvendit, Mustafa e hoqi atë nga axhenda.

Njoftimi i kryeministrit të Kosovës erdhi pasi partitë e opozitës, në një lëvizje të nxitur nga Nisma, paraqitën një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, e cila do të votohet nga deputetët të mërkurën.

Kjo çështje mund të vulosë fatin e koalicionit qeverisës të Isa Mustafës.

Bashkimi Europian e ka caktuar ratifikimin e marrëveshjes polemike me Malin e Zi si një çështje kryesore të liberalizimit të vizave me Kosovën.

Zyrtarët nga Kosova janë përballur me presion të madh ndërkombëtar për ta çuar marrëveshjen përpara.

(https://www.reporter.al/kryeministri-i-kosoves-dergon-ne-parlament-demarkacionin-polemik/)