Kryeministri afatgjatë i Malit të Zi «do të dorëhiqet»

Kryeministri Milo Djukanoviç, i cili ka një karrierë 27-vjeçare në poste drejtuese në vend, do të japë dorëheqjen pasi sapo ka fituar zgjedhjet më të fundit, lajmëroi partia e tij.

Milo Djukanoviç. Foto: urbans / Shutterstock

Kryeministri malazez Milo Djukanoviç do të përfundojë drejtimin 27-vjeçar të vendit pasi Partia Demokratike e Socialistëve, të cilës ai i përket, ka kandiduar të martën në mbrëmje protozhenë e tij të hershëm, Dusko Markoviç si pasardhësin e mundshëm – deklaroi liderishipi i partisë.

Lëvizja erdhi pasi Partia Demokratike e Socialistëve arriti një tjetër fitore zgjedhore më 16 tetor dhe pason muaj të spekulimit intensiv se Djukanoviç po planifikonte të tërhiqej.

Ajo vjen gjithashtu përballë një dyshimi për grusht shteti që Djukanoviç pretendoi se organizohej nga fuqi të huaja për të marrë pushtetin në Malin e Zi. Të dyshuar janë arrestuar në Malin e Zi dhe në Serbi.

Partia Demokratike e Socialistëve tha pas një takimi me lidershipin të martën në mbrëmje se do të kandidonte zv.kryeministrin Markoviç për rolin e kryeministrit nëse partia siguron shumicë në parlament.

«Dinamika e aktiviteteve post-zgjedhore dhe negociatave me partnerët e koalicionit është përcaktuar, kjo do të çojë në formimin e shpejtë të një qeverie të re», tha kryesia e partisë në një deklaratë.

Markoviç më parë ka shërbyer si kreu i shërbimit malazez të inteligjencës dhe është konsideruar si aleati më i afërt i Djukanoviç në 20 vitet e fundit.

Media lokale raportoi se Djukanoviç do të mbetet kreu i partisë, por më tepër detaje do të sqarohen të mërkurën.

Në zgjedhjet e 16 tetorit, partia e Djukanoviç fitoi 36 vende në parlamentin me 81 vende. Nëse partitë minoritare që garuan të pavarura në këto zgjedhje vendosin t’i bashkohen atij, atëherë partia e tij do të mund të formojë sërish një qeveri.

Djukanoviç, i cili është vetëm 54 vjeç ka qenë në pushtet si kryeministër dhe president që nga viti 1991, kur ishte veçse 29 vjeç.

Ai ka siguruar tre mandate në vazhdimësi si kryeministër që nga viti 1991 deri në 1998 përpara se të bëhej president i Malit të Zi nga 1998 në 2002.

Kjo do të jetë hera e tretë që ai largohet nga politika. Ai ka pasur dy shkëputje 2-vjeçare nga 2006 në 2010, por ka pasur gjithnjë ndikim dhe besohej gjerësisht se ka akorduar gjërat pas skene.

Ndërkohë ai ka mbetur kreu i partisë që nga viti 1998. Ai u rikthye pas zgjedhjeve të tetorit 2012 në postin e kryeministrit.

Në një intervistë me BIRN në shtator, Djukanoviç la të kuptohej një largim i mundshëm.

I pyetur nëse mund të thoshte që pas zgjedhjeve në Malin e Zi, kishte ende punë të rëndësishme për të bërë ndaj duhej të qëndronte, Djukanoviç tha se kishte shumë njerëz të tjerë të aftë në vend.

«Jam këtu për të ndihmuar në procese të caktuara, por siç e dini nuk jam i martuar me politikën», tha ai.

(reporter.al: http://www.reporter.al/kryeministri-afatgjate-i-malit-te-zi-do-te-dorehiqet/)