Kronikë mbi një ndeshje futbolli në vitin 2020

Tradhtarë gjithandej, flamuj gjithandej, rrëmujë gjithandej. Është vetëm një lojë. Duajeni flamurin dhe kombëtaren! Por, duajeni edhe një të ardhme më të dinjitetshme për veten.



Është viti 2020. Kombëtarja e Kosovës po luan ndeshjen e parë ndërkombëtare me ekipin e Swazilandit. I madh e i vogël kanë vërshuar në Stadiumin Olimpik të Mitrovicës. Ky qytet që ka ndarë për shumë vite shqiptarët dhe serbët, tani është arenë ku për herë të parë do të defilojë në fushë ekipi multietnik i Kosovës. Te Ura e Ibrit, e cila nëpër kohë ka shërbyer si postbllok ushtarak, policor, e edhe si «park i paqes», është vendosur një kioskë me flamuj të Kosovës dhe Bashkimit Europian. Aty jepen flamuj falas të Kosovës, balona të kaltër e të verdhë. Prodhimet e ujit në Kosovë kanë krijuar seri të posaçme të shisheve të mbështjella me yje të verdhë. Për javë të tëra kryeministrja e Kosovës kishte defiluar nëpër reklama televizive duke thënë «Ky është flamuri ynë! Flamuri më i bukur në botë!» Reklama e njëjtë ishte bërë edhe në serbisht, turqisht dhe në gjuhën rome. Politikanët e Kosovës e përshëndesin ndeshjen si ngjarjen më të rëndësishme dhe më «historike» të shtetit të ri. Ngjarja është përshëndetur edhe nga Bashkimi Europian, Departamenti i Shtetit Amerikan, Britney Spears dhe të tjerë.

Por, situata vazhdon të mbetet e tensionuar. Patrulla të tëra policie parakalojnë në çdo cep të Mitrovicës. Kontroll i shtuar në pikat kufitare me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Kontrolle shtesë në aeroport për fluturimet nga Zvicra dhe Gjermania. Dy sulmuesit kryesorë të kombëtares së Kosovës janë serbë. Jovan Stamenković, 21-vjeçari nga Zveçani, është ylli i ri në ngjitje. Tjetri është Mladen Svilanović, 19-vjecari nga Parteshi i Gjilanit, fshat ky që u bë komunë në saje të decentralizimit.

Të dy janë shpallur «tradhtarë» nga serbët radikalë në Kosovë dhe në Serbi për shkak se e «tradhtuan» kombëtaren e shtetit amë – kombëtaren serbe!

Në anën tjetër, edhe një pjesë e madhe e shqiptarëve të Kosovës po e bojkotojnë ndeshjen në tërësi. Radikalët në Kosovë dhe Shqipëri po vjellin vrer ndaj djelmoshave të cilët tradhtuan kombëtaren kuq e zi për të luajtur për, siç e quajnë ata, «Kombëtaren e Ahtisaarit». Tradhtarë gjithandej! Çka do të bëhet tani me himnin «Kuq e Zi» që industritë mediatike në Shqipëri e prodhuan për ta shitur masivisht përmes platformave të pataksuara në diasporë dhe për t’ua lëmuar sedrën nacionaliste shqiptarëve barkthatë e të pashkolluar. Të mjerëve!

Ndeshja është pak para fillimit! Kombëtarja përshëndetet me eufori nga tifozët. Ovacionet «Kosova! Kosova!» nuk lënë njeri ulur. Fishkëllimat e para lëshohen kur thirret në fushë Svilanović. Turma në stadium, ashtu sikurse turma (nacionaliste), e ka të vështirë ta pranojë narrativën e re. Në fund të fundit, ishte në tribuna futbolli aty ku kishte marrë formë e gjithë histeria e të përjashtuarit të tjetrit. Të përjashtuarit e çdo gjëje që nuk përshëndetet me shqiponjën si simbol! Kjo gjë pastaj u formësua nëpër studio televizive dhe industri mediatike (kryesisht) në Shqipëri, të cilat e kishin kuptuar që nacionalizmi shitet mirë.

Pjesa e parë mbyllet zero me zero. Komentet e para nga opinioni publik në Shqipëri e arsyetojnë performansën e dobët të Kosovës në ndeshjen e saj të parë, me mallkimin që i është bërë nga «shteti amë»! Këngëtarët dhe «artistët» që u rrinë gati këtyre ngjarjeve nxituan për të bërë këngë mallëngjyese «Gjaku s’bëhet ujë». Pararojat e nacionalizmit në Serbi vërshuan blogosferën me pyetjet dhe habinë «kur i humbëm edhe serbët e veriut».

Vazhdon pjesa e dytë. Tollovi nëpër fushë. Presioni ndaj djelmoshave të kombëtares është i jashtëzakonshëm. Për të satën herë, një pjesë e tyre po luanin një lojë historike. Për të satën herë, ata ishin bërë personazhe historike. Për të satën herë, ata nuk ishin (vetëm) futbollistë. Bëhet ndërhyrja e parë kundër Stamenkovićit. Duket se është lënduar. Turma është e hutuar. Të fishkëllejë për «serbin» e shtrirë përtokë, apo të mbështesin «serbin» e kombëtares. Bëhen të dyja bashkë. Kakofoni! Mes tifozëve nëpër tribuna fillojnë kacafytjet e para verbale. Ka prej atyre që kanë ardhur për ta mbështetur kombëtaren, por kjo, sipas tyre, duhet bërë duke i përzënë serbët nga formacioni.

Kacafytjet eskalojnë dhe policia e sheh të udhës të intervenojë. Për pak minuta, arbitri ndalon lojën në fushë. Për herë të parë konflikti nuk është në fushën e gjelbër! Berisha dhe Svilanović të kapur dorë për dorë përshëndesin tifozët dhe bëjnë thirrje për qetësi. Policia vë rend në tribunë dhe loja vazhdon. Ngjarja duket se ka ndikuar edhe në disponimin e lojtarëve në fushë. Është minuta e 85 dhe duket se kombëtarja nuk do të arrijë ta shënojë këtë ngjarje historike me fitore. Disa të dëshpëruar vendosin të largohen nga tribuna për t’ju shmangur trafikut më vonë.

Është minuta e 87-të. Stamenković shënon! Stadiumi i Mitrovicës është në trans. Turma thërret njëzëri «Jovan! Jovan!» Stamenković përshëndet tifozët, përqafohet me bashkëlojtarët e tij. Ai është subjekti historik i Kosovës. I Kosovës së Ahtisaarit. Afrohet te tribuna D ku duket se janë të mbledhur shumë bashkëkombës të tij. Përqafon flamurin serb dhe kthehet në fushë. Të nesërmen shpjegoi se ai ishte gjest i natyrshëm. «Edhe Xherdan Shaqiri e mori kupën duke e mbajtur flamurin e Kosovës».

Është vetëm një lojë kjo sonte. Duajeni flamurin dhe kombëtaren! Por, duajeni edhe një të ardhme më të dinjitetshme për veten. Nuk ka flamur të Shqipërive të vogla e të mëdha që ua mbulon spitalet jofunksionale me xhama të thyer e krevate si në gjendje luftë! Nuk ka flamur të Shqipërivë të mëdha që ua mbulon degradimin e universitetit dhe të sistemit arsimor në përgjithësi! Nuk ka flamur që ua mbulon rrugët magjistrale si në Kandahar. Nuk ka flamur që ju jep punë! Nuk ka flamur që ju çliron nga fantazmat e nacionalizmit!

(Dr. Vjosa Musliu është ligjëruese në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Gentit në Belgjikë)