Një kronikë e tranzicionit në Shqipëri

Një gazetar amerikan ligjëron për Shqipërinë në Universitetin e Cyrihut. Mbi ndërrimin e sistemit, aktorët dhe faktorët e tranzicionit si dhe perspektivat e demokratizimit.

Fred Abrahams referon për tranzicionin në Shqipëri në Universitetin e Cyrihut. Foto: Jak Nushi



Reth 200 veta mbajnë veshët në një auditor të Universitetit të Cyrihut. Kryekëput nga komuniteti i studentëve shqiptarë. Fred Abrahams i sjell vëzhgimet e tija të zhvillimeve politike në Shqipërinë e viteve të ’90-ta nga dora e parë. Gazetari dhe raportuesi për të drejtat e njeriut i Human Rights Watch para ca muajsh ka dalë me një libër për tranzicionin në Shqipëri, «Moden Albania. From Dictatorship to Democracy in Europe», ku i gërsheton observimet e tija me qindra intervista të realizuara me aktorët kryesorë politik të kohës – shqiptarë dhe ndërkombëtarë, si dhe me dokumente të panumërta arkivore. Këtë komoditet e kishte favorizuar atëbotë formati i vogël i Tiranës, të cilin Abrahams e sjell përmes përshtypjeve të një gjenerali italian: «Kam parë qytete pa bulevarde, por nuk kisha parë ndonjëherë bulevard pa qytet». Para dy muajsh libri ka dalë edhe në shqip: «Shqipëria e re. Nga Diktatura në demokraci në Europë». Ligjërata ishte një promovim i këtij libri. Fokusi i saj ishte tranzicioni në Shqipëri.

Për Fred Abrahams, tranzicioni shqiptar fillon me Enver Hoxhën. Konkretisht me konstatimin se vendit i duhej një hapje, sepse ai nuk mbahej dot më me forcat e veta. Autori përmend marrjen e kredive nga ndonjë vend perëndimor dhe e shquan vizitën e kryeministrit të Bavarisë Hans Josef Strauss në vitet ’80-ta në Shqipëri. Një moment të rëndësishëm për zhvillimet e mëvonshme politike në vend paraqet «aranzhimi» i trashëgimisë së Enver Hoxhës, ajo që Abrahams në librin e tij e quan përcaktimi për nxënësin dhe jo për shokun. Zhvillime të cilat si njeriun e parë të Shqipërisë e nxorrën Ramiz Alinë dhe jo, siç pritej, Mehmet Shehun.

Tranzicion i koordinuar

Dhe, pikërisht Ramiz Alisë autori i përshkruan menaxhimin e ndërrimit të sistemeve në Shqipëri. Ish lideri komunist e kishte ndjerë erën e ndryshimeve në Europë dhe nuk mund të qëndronte indiferent. I pavullnetshëm për ta dorëzuar pushtetin, ai ishte përpjekur t’iu përshtatej rrethanave të reja me zbulimin e «pluralizmit të mendimeve». Ishte inkurajuar shprehja e lirë e mendimit. Në këtë frymë ishin amnestuar edhe shumë të burgosur politikë. Kulminacionin e reformave përbënte ndoshta lejimi i kufizuar i pronës private. Fshatarëve iu lejua të mbanin kafshë në shtëpi. Dhe këtu vjen një xhevahir: Ato duhej të ishin të një gjinie, që të mbahej nën kontroll kapitalizimi i tyre. Filluan të rebelohen masat. Në Shkodër kishin provuar të rrëzonin bustin e Stalinit, ndërkohë që në Tiranë kishte një bulevard Stalin, ndërsa një qytet – Kuçova – mbante akoma emërin e tij. Kërkoheshin reforma rrënjësore dhe sistemi ishte i detyruar të përshtatej. Për Fred Abrahams nuk ka asnjë dilemë: Në Shqipëri nuk ka pasur revolucion.

Për Fred Abrahams në Shqipëri ka pasur reforma nga lartë me impulse nga poshtë. Dhe këtu ai spikat sidomos lëvizjen studentore, e cila ishte më e zëshme në kërkesat për pluralizëm të mirëfilltë politik. Ndërkohë ishte shembur Muri i Berlinit dhe në vorbullën e trazirave në Rumani, për krishtlindje ishte pushkatuar kryetari komunist, Çaushesku, bashkë me gruan e tij. Studentët e kishin sfiduar Ramiz Alinë me një takim, ku do ta konfrontonin me kërkesa të vendosura për pluripartizëm. Por, Ramiz Alia, «si i zgjuar që ishte», ua kishte marrë atyre kauzën në kthesë. Në sfondin e këtyre ngjarjeve, një ditë para takimit të bujshëm me studentët, ai e kishte mbledhur byronë politike dhe e kishte vendosur lejimin e partive të tjera politike, përveç asaj komuniste. Në mbledhjen me studentët, ku do ta vinin me shpatulla për muri, Alia u kishte prirë atyre me kumtin: Qeveria lejon formimin e partive alternative!

Një erë e re me bagazh të vjetër

Nga lëvizja studentore kishte dalë partia e parë jokomuniste në Shqipëri: Partia Demokratike. Në këtë periudhë katapultohet në skenë një figurë tjetër që do të lejë gjurmë në jetën politike të vendit deri më sot: Sali Berisha. Atë e kishin preferuar sidomos amerikanët. Fred Abrahams sugjeron që kjo në ato rrethana ishte konsideruar si zgjidhja më e mirë, sepse komunistët ishin të diskualifikuar si partnerë për ndërtimin e një shoqërie të ekonomisë së tregut. Aq më tepër që edhe drejtuesit e Partisë Demokratike, duke përfshirë edhe Sali Berishën, kishin vazhduar edhe për një kohë të ishin anëtarë të partisë komuniste. Berisha përshkruhej si i zgjuar, i diciplinuar, me formim të mirë dhe me njohje të gjuhëve të huaja. «Atij nuk ka nevojë t’ia shpjegosh një gjë dy herë», ishte shprehur një politikan perëndimor.

Përveç një inventari të varfër të traditës demokratike në Shqipëri, elitat e reja politike të vendit i kishte karakterizuar edhe mungesa e përvojës politike. Kjo kishte çuar edhe në keqkuptime të mëdha. Sali Berisha dhe Partia Demokratike në diskursin e tyre e kishin afirmuar zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare dhe bashkimin kombëtar. Kjo ishte sanksionuar në programin e partisë. Ndërsa perëndimorëve në atë periudhë iu duhej një garant i qetësisë në rajon. Sidomos në Kosovë. Dhe, një ndër motivet e favorizimit të Berishës kishin qenë lidhjet që kishte me Kosovën zona e Tropojës nga vinte ai. Sidomos në një vizitë të Sali Berishës dhe liderit tjetër të Partisë Demokratike, Gramoz Pashko, në Shtetet e Bashkuara, me çrast ishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike midis SHBA-ve dhe Shqipërisë, iu ishte bërë e qartë një gjë e tillë. Si kujdestar i stabilitetit në Kosovë ishte gjetur Ibrahim Rugova.

Pengjet e paradigmës së stabilitetit

Atëbotë, liderët shqiptarë, sipas Fred Abrahams, e kishin negociuar me zgjuarsi këtë rol politik. Berisha në shkëmbim të tij kishte fituar duart e lira për të sunduar jetën politike shqiptare. Ndërkombëtarët kishin mbyllur sytë përpara deformimeve të procesit të demokratizimit. Si rrjedhojë e kësaj kishte dështuar ndërtimi i institucioneve demokratike. Kishin filluar proceset e parregullta ndaj opozitës dhe shkelja e lirive dhe të drejtave të njeriut. Ngrihen skemat mashtruese piramidale, të cilat fundja shërbyen për trazirat masovike të 1997-tës, që praktikisht çuan në shuarjen për një kohë të shtetit.

Fred Abrahams shkapërderdhjen e shtetit dhe qarkullimin e pashembullt të armëve të të gjitha llojeve, me çrast në duart e civilëve ra edhe aviacioni i shtetit, e sheh si minierën nga u furnizua kryengritja e armatosur në Kosovë. Ai nuk është në gjendje ta mbështesë tezën që anarkia në Shqipëri dhe incidenti i hapjes së depove të jetë një skenar për ta spontanizuar kryengritjen e Kosovës. Por gjithsesi identifikon një kauzalitet, lidhje shkak-pasojë, midis këtyre dy ngjarjeve. E tëra është edhe një dështim i Perëndimit. Vendosja e stabilitetit para demokracisë, për Abrahams është një politikë e gabuar.

Për specialistin e «Shqipërisë së re», vendi ndërkohë ka ndryshuar për të mirë. Tirana është bërë një bulevard me qytet… Shqiptarëve nuk iu mungojnë idealet, por idetë. Institucionet e pavarura nuk janë konsoliduar akoma. Sistemi i drejtësisë është një ndër temat më të nxehta aktuale. Korrupsioni është një kryefjalë. Mungon përgjegjësia për detyrën dhe fuksionet shihen më tepër si një shans për t’u pasuruar. Lypsen njerëz me shumë energji dhe të vendosur. Dhe, ka hapësirë për kuadrot nga Perëndimi.

Ligjërata zgjati për rreth një orë e gjysmë. Ajo u organizua nga «dialogplus» në bashkëpunim me shoqatën e studentëve shqiptarë në Cyrih.

Pamje nga ligjërata e Fred Abrahams në Universitetin e Cyrihut. Foto: Jak Nushi
Pamje nga ligjërata e Fred Abrahams në Universitetin e Cyrihut. Foto: Jak Nushi