Krokodili gjerman dhe integrimi i Ballkanit në BE

Në marrëveshjen e koalicionit të ri qeveritar në Gjermani theksohet se reformat për ndërtimin e shtetit ligjor, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë parakusht për anëtarësim në BE të vendeve të Ballkanit. Ministër i Jashtëm do të jetë Martin Schulz. Ai i njeh mirë poltikanët e rajonit. Nga Serbia Schulz ka kërkuar ta pranojë pavarësinë e Kosovës, ndërsa në përpjekje për të zgjidhur krizat politike në Tiranë ai ka organizuar edhe atë darkën e famshme në restoratin «Au Crocodile» në Strassburg, ku ka zhvilluar biseda me Edi Ramën e Sali Berishën deri në orët e hershme të mëngjesit.

Edi Rama dhe Martin Schulz.



Politika gjermane ndaj Ballkanit vazhdon të jetë e pandryshuar: që në vitin 2005, kur koservatorët e Angela Mereklit lidhën koalicionin e parë pas shumë vitesh me socialdemokratët, ishte theksuar se «Gjermania ka interes vital në stabilizimin e përhershëm të Ballkanit perëndimor». Në marrëveshjen e re për koalicion, të prezantuar të mërkurën, theksohet se partitë që do të përbëjnë qeverinë e re gjermane (CDU e CSU koservatore dhe SPD socialdemokrate) mbështesin perspektivën e hyrjes në BE të vendeve të Ballkanit. Parakusht për këtë është plotësimi i plotë i kritereve të parapara. Këtu hyjnë reformat gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të pakthyeshme në ndërtimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë rrugë Gjermania premton ndihmë edhe më të madhe, përfshirë edhe procesin e Berlinit. Megjithatë, sa i përket anëtarësimit në BE, partitë gjermane theksojnë se më me rëndësi është cilësia se sa shpejtësia.

Angazhimi i Gjermanisë në rajonin e Ballkanit është shtuar sidomos nga viti 1999. Atëbotë Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore mori pjesë, bashkë me aleatët perëndimorë, në një luftë kundër një shteti tjetër – në këtë rast Serbisë, me qëllim të ndërprerjes së krimeve të luftës në Kosovë mbi popullsinë shqiptare. Pas rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviqit pala gjermane përkrahu gjithanshëm qeverinë e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, i cili gëzonte popullaritet të madh në Gjermani, ku kishte studiuar dhe në paraqitjet e tij publike ishte mjaft elokuent, edhe falë njohjes së gjuhës gjermane. Një figurë e tillë reprezentative shteteve të tjera të Ballkanit dhe Kosovës (atëbotë protektorat) u mungonte – ose në disa raste elitat politike nuk ishin të interesuara të gjejnë personalitete të tilla.

Pas vrasjes së Gjingjiqit, pala gjermane u përpoq të përkrahë pasardhësit e tij politikë, por pa ndonjë sukses. Sidomos në çështjen e Kosovës presidenti i mëvonshëm serb Boris Tadiq nuk ishte i gatshëm të pranojë realitetin. Në vitin 2011, gjatë vizitës së kancelares Angela Merkel në Beograd, ndodhi një konfrontim publik i saj me Tadiqin. Merkel kërkoi biseda të drejtpërdrejta të Beogradit me Prishtinën, ndërsa Tadiq tha se nuk do të pranojë asnjë ndërhyrje nga jashtë në këtë çështje. Sipas analistëve që merren me Ballkanin në Berlin kjo qe arsyeja që Merkel hoqi dorë nga Tadiqi dhe filloi të përkrahë Aleksandar Vuçiqin, i cili përkundër të kaluarës së tij ultranacionaliste premtonte se do të jetë me fleksibël në çështjen e Kosovës.

Që nga viti 2014 Berlini është angazhuar bashkë me Londrën në një nismë për zhbllokimin e reformave në Bosnjë. Deri më tani pa ndonjë sukses të madh, sidomos për shkak të politikave destruktive të liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik. Po ashtu në gusht të vitit 2014 Gjermania dhe shtetet e tjera të mëdha të BE-së startuan «Procesin e Berlinit», një përpjekje për të shtuar optimizmin e popujve në Ballkan se një ditë do të bëhen pjesë e BE-së.

Në qeverinë e re gjermane pritet që ministër i Jashtëm të jetë Martin Schulz, i cili ka qenë kryetar i Parlamentit Europian dhe në këtë funksion ka takuar mjaft politikanë udhëheqës të Ballkanit. Schulz në vitin 2012 kishte deklaruar se Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës para se të hyjë në BE. «BE ka problemet e veta, disa vende të BE-së nuk e njohin Kosovën, por BE kërkon nga Serbia që ta bëjë këtë», kishte thënë Schulz. Së fundi mediat serbe kanë cituar kryetarin aktual të parlamentit europian, italianin Antonio Tajani, i cili gjatë vizitës në Beograd ka deklaruar se pranimi i pavarësisë së Kosovës nuk është kusht për hyrjen e Serbisë në BE.

Qeveria e ardhshme gjermane do të zgjidhet vetëm nëse anëtarët e Partisë Socialdemokrate e pranojnë marrëveshjen e koalicionit në një referendum të brendshëm. Referendumi do të mbahet më 4 mars. Organizata e të rinjve e socialdemokratëve është duke u angazhuar shumë që koalicioni të dështojë. Argumenti i rebelëve të rinj është se SPD duke qeverisuar me Merkelin vazhdimisht po humb mbështetjen e votuesve. Nëse marrëveshja për koalicion kalon në referendum, me gjasë Schulz do të jetë ministër i Jashtëm. Si politikan që me vite të tëra është marrë me integrimet europiane, një ndër ëndrrat e tij është që bashkë me presidentin francez Emmanuel Macron të çojnë përpara projektin e bashkëpunimit edhe më të ngushtë mes shteteve të BE-së. Në këtë kuptim Schulz mund të luajë rol kyç edhe sa i përket integrimit të vendeve të Ballkanit në BE.

Disa prej liderëve të rajonit Schulz i njeh mirë. Për shembull Edi Ramën. SPD dhe PS e Shqipërisë janë aktive në Internacionalen Socialiste. Në vitin 2010 Schulz dhe kolegu i tij kristiandemokrat Joseph Daul organizuan në Strassburg darkën e famshme me Edi Ramën dhe Sali Berishën në restoratin «Au Crocodile» në Strassburg. Qëllimi i darkës ishte të gjendet një zgjidhje e krizës politike në Shqipëri pasi PS bojkotonte parlamentin. Schulz, Daul, Rama dhe Berisha diskutuan deri në orët e vona të natës, por dy kundërshtarët politikë nga Tirana nuk nënshkruan një dokument për tejkalimin e krizës. Fajtori për këtë u gjend: ishte deputeti socialist rumun Adrian Severin, i cili kishte intriguar pas shpinës së Schulzit dhe Daulit, duke iu dhënë informata të rrejshme Ramës dhe Berishës. Schulz e ballafaqoi politikanin rumun, por ai mohoi gjithçka. Në mars të vitit 2011 u bë e ditur se Severin dhe dy deputetë të tjerë të Parlamentit Europian kishin marrë ryshfet nga disa gazetarë britanikë të maskuar si lobistë për të votuar ligje në interes të lobistëve. Schulz kishte humbur durimin, e kishte ftuar deputetin rumun në zyrën e tij, kishte ngritur tonin, e kishte ballafaquar dhe dëshmitë dhe e kishte përzënë nga zyra. Pastaj Severin ishte përjashtuar edhe nga grupi parlamentar socialdemokrat në Parlamentin Europian; në shkurt 2016 drejtësia rumune e dënoi me tre vjet e tre muaj burg për korrupsion.