Kroacia premton mbështetje për Kosovën

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka pritur sot ambasadoren e Kroacisë, Marija Kapitanovic, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

Kuçi i ka dëshiruar mirëseardhje ambasadores Kapitanovic, duke theksuar bashkëpunimin e shkëlqyer ndërshtetëror. Zëvendëskryeministri Kuçi gjithashtu ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të thelluar edhe më tutje bashkëpunimin institucional në fusha të interesit të përbashkët, sidomos në ekonomi.

Ai e ka njoftuar ambasadoren për «prioritetet e prioriteteve» të këtij mandati qeverisës, duke u përqendruar në zhvillimin ekonomik, avancimin e procesit të integrimit evropian dhe fuqizimin e sundimit të ligjit me qëllim të ngritjes së besimit të qytetarëve në drejtësi dhe tërheqjen e investitorëve.

Kuçi dhe Kapitanoviç diskutuan edhe për traditën dhe të kaluarën e përbashkët të dy shteteve. Zëvendëskryeministri Kuçi gjithashtu theksoi që falë bashkëpunimit të ngushtë ndërshtetëror, Kosova mund të mësojë nga përvoja e Kroacisë në procesin e integrimit evropian. Zëvendëskryeministri Kuçi, veçanërisht, ka kërkuar shkëmbimin e ekspertizës në luftimin efektiv të korrupsionit, sidomos në fushën e krimeve kibernetike dhe financiare, ku edhe ka nevojë më të theksuar për ngritje të kapaciteteve.

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanovic, në fund, është shprehur se bashkëpunimi do të vazhdojë të kultivohet gjatë mandatit të saj, si dhe ka ritheksuar mbështetjen e Kroacisë në proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe në anëtarësimin e Kosovës në mekanizma regjionalë dhe ndërkombëtarë.