Kroacia, «Kolinda» dhe rrena me kilogramë

Kombëtarja kroate dhuron për bamirësi fitimet nga Kupa Botërore në Rusi. Tingëllon bukur, por është rrenë. Kryetarja kroate ka shitur avionin zyrtar dhe vetura zyrtare për të kursyer paratë e buxhetit. Tingëllon bukur, por është rrenë. Një korrigjim në kohën e mashtrimit të publikut nga mediat e papërgjegjshme.




Kroacia po përjeton një përrallë verore. Kombëtarja e futbollit ka fituar vendin e dytë në Kupën Botërore në Rusi dhe mbarë vendi i vogël është në këmbë. Pas kremtimeve të mëdha në Zagreb, ku morën pjesë mbi gjysmë milioni njerëz, tani lojtarët dhe trajneri i kombëtares po vizitojnë qytetet kroate – nga Sllavonia në Dalmaci.

Për ta bërë përrallën verore më interesante, portale të ndryshme (shqiptare dhe të tjera) kanë përhapur një lajm fantastik: kombëtarja kroate ka dhuruar për bamirësi të gjitha fitimet në Rusi. Një portal shkruan se kroatët kanë dhuruar 23,6 milionë euro, tjetri e rrumbullakon shumën në 24 milionë, një tjetër pretendon se shuma e saktë është 25 milionë euro. Nganjëherë eurot ngatërrohen me dollarë, mungon vetëm edhe ngatërrimi me kuna apo me dinarë apo me lekë.

Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë lajm. Kombëtarja kroate nuk ka dhuruar ende asnjë metelik për askënd pas kthimit nga Rusia. Portalet që funksionojnë me distribuimin dhe jo me hulumtimin dhe verifikimin e lajmeve si burim të informacionit kanë marrë një letër të hapur dërguar opinionit kroat nga selektori Zllatko Daliq. Aty përmendet edhe shuma e dhuruar. Letra ekziston, por nuk është shkruar nga Daliqi. Siç shkruan gazeta gjermane «Frankfurter Rundschau» letra në të vërtetë është një kolumne e shkruar nga autori Igor Premuziq, ajo është botuar në portalin dalicom.eu dhe bart nëntitullin: universi paralel. Është një letër fiktive që Premuziq e ka shkruar në emër të trajnerit Daliq dhe aty tematizohet gjendja e vështirë sociale dhe ekonomike në Kroaci si dhe problemet me të cilat ballafaqohet ky vend: korrupsioni është ndër problemet që gërryen Kroacinë. Në letër po ashtu bëhet thirrje që politikanët dhe përfaqësuesit e qeverisë të qëndrojnë larg kombëtares së futbollit. Një zëdhënës i Federatës së Futbollit të Kroacisë ka thënë se rrëfimi me dhurimin e parave për bamirësi është një lajm i shpikur. Ndoshta portalet janë entiziazmuar së tepërmi nga historia kryesisht e vërtetë e Lluka Modriqit, i cili si fëmijë ruante dhitë, trembte ujqtë dhe sot luan për Real Madridin. Por, nëse kjo është e vërtetë, nuk domethënë se çdo gjë që plasohet në lidhje me ekipin kroat të futbollit është e saktë, si puna e donacionit për bamirësi. Në lajmin e rrejshëm thuhet se paratë e dhuruara do të harxhohen për të paguar pushimet e fëmijëve të varfër në detin kroat. Thuhet se i vetmi që ka paguar diçka është Ante Rebiqi, futbollisti i Eintrachtit të Frankfurtit. Ai – thuhet se – ua ka shlyer kreditë dhe borxhet të gjithë banorëve të fshatit ku është lindur. Kujdes: thuhet se… Nuk ka ende një konfirmim për këtë.

Fantazia e portaleve ka fluturuar edhe në rastin e presidentes kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq. Ajo ra në sy gjatë Kupës Botërore me orgjinë e përqafimeve zemërgjera: kush kalonte pranë saj, shpërblehej me një shtrëngim të papërmbajtshëm. Pastaj në portale u tha se kryetarja kroate, kjo nënë e ndershme dhe modeste e kombit kroat, ka bërë shumë gjeste mahnitëse për të treguar – modestinë e saj. Kështu asaj mbi dresin kroat iu vesh gëzofi i motrës së nderit. U tha se presidentja e ka shitur avionin zytrar për të kursyer paratë e buxhetit, u tha se i ka shitur 35 vetura zyrtare (Mercedes!), të cilat i takonin ministrave dhe nëpunësve të lartë, u tha se ajo i ka shkurtuar rrogat e diplomatëve për 60 për qind, u tha se ajo ka hequr pensionet per senatorë dhe kongresmenë kroatë, u tha se ajo flet shtatë gjuhë. Presidentja kroate flet anglisht, spanjisht dhe portugalisht – dhe natyrisht kroatisht, por jo shtatë gjuhë. Ndërsa lajmi se ka shitur avionin zyrtar është gënjeshtër. Po aq gënjeshtër është se ajo ka shitur veturat zyrtare të ministrave (nuk ka kompetencë për këtë). Gjithsesi rrenë është se ka shkurtuar rrogat e diplomatëve, sepse as për këtë nuk ka kompetenca. Rrena më e bukur është ajo se presidentja kroate ua ka hequr pensionet senatorëve dhe kongresmenëve kroatë. Kroacia ende republikë parlamentare, nuk ka as senatorë, as kongresmenë.