Kroacia i ofron Kosovës mbështetje në legjislacionin nga fusha e shëndetësisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Kroacisë, Sinisha Varga. Sipas njoftimit, ministri kroat me këtë rast i ofroi Kosovës mbështetje në legjislacionin, që përshpejton procesin e integrimeve evropiane, në veçanti ligjet për shëndetësi.




Në takim, Veseli dhe Varga diskutuan për bashkëpunimin Kosovë-Kroaci, nevojën e thellimit të bashkëpunimit rajonal si dhe sfidat e hartimit të legjislacionit në procesin e euro-integrimeve.

Kryekuvendari Veseli pasi foli për sfidat me të cilat përballet legjislativi i vendit, theksoi se ligjet, në veçanti ato të shëndetësisë, duhet të gjejnë zbatim me përpikëri sepse përbëjnë interes të veçantë në favor të mirëqenies së qytetarëve.

«Përvoja kroate në fushën e integrimeve është shumë e mirëseardhur për neve ngase Kroacia me sukses ka përmbyllur procesin e anëtarësimit në BE, konsideroj se mbështetja e Kroacisë në rrugën tonë nuk do të mungojë. Kontribut të veçantë në këtë drejtim mund të japin sektorët që kanë përvojë të njëjtë të tranzicionit sikur Kosova dhe ndërtimit të relacioneve të reja në rajon», theksoi kryekuvendari Veseli.

Ministri Varga theksoi se Kroacia mund të japë kontribut të theksuar në shëndetësi, për legjislacionin që i përket shëndetësisë, por edhe në përafrimin e legjislacionit ekzistues dhe atij që duhet hartuar drejt finalizimit të procesit integrues. Kroacia ka mundësi që nëpërmjet përvojës së saj të ndikojë që në procesin e përmbushjes së kritereve integruese, Kosova të mos bëj lëshimet që ata i kanë bërë në këtë proces. Ministri theksoi se ligjet në rend të parë duhet përmirësuar dhe zbatuar për vet neve, e pastaj edhe për përmbushjen e kritereve në procesin integrues.

Kryetari Veseli mirëpriti propozimin e Ministrit Varga që bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë të thellohet, nëpërmjet komisionit parlamentar për shëndetësi, ndërsa institucionet shëndetësore duke pranuar ekspertizën profesionale dhe ofrimin e mbështetjes në edukimin shëndetësor me përvojat më të mira nga Kroacia dhe në veçanti në hartimin e legjislacionit duke e përshtatur me atë të Bashkimit Evropian.