Kroacia dhuron fitoren, «fansat» shkaktojnë skandal

Në ndeshjen kundër Çekisë Kombëtarja kroate ishte dominuese, por në fund nuk arriti ta ruajë fitoren. Trajneri kroat i ka quajtur terroristë personat që nga sektori kroat hodhën petarda në fushë.

Ndeshja mes Kroacisë dhe Çekisë në Kampionatin Europian të Futbollit ishte, për shumë arsye, dramatike. Për 60 minuta kroatët dominuan lojën dhe krijuan një epërsi prej dy golash (Perishiq shënoi në minutën e ’37, Rakitiq në minutën e ’59). Por pastaj trajneri Ante Çaqiq nxori nga loja Luka Modriqin, regjisorin e ekipit kroat. Me gjasë trajneri dëshironte ta ruante Modriqin për ndeshjen me Spanjën. Në minutën e ’76 çekët shënuan dhe kur të gjithë po prisnin që ndeshja të përfundojë me rezultat 2:1, «fansat» kroatë shkaktuan skandal, duke hedhur mjete plasëse në stadium. Kjo e shtyri referin Mark Clattenburg të ndërpres lojën. Petardat i hodhën «fansat» kroatë dhe me atë rast në sektorin e tyre ndodhën disa përleshje.

Pas rifillimit të lojës Çekia barazoi rezultatin. Dhe për ketë çekët patën kohë, sepse pas incidentit ndeshja u shty për rreth 10 minuta.

Eksperti i televizionit të Zvicrës Carlo Bertolini deklaroi se Kroacinë e pret një dënim i ashpër nga UEFA. Duke pasur parasysh se «fansat» kroatë kanë rënë në sy për të keq edhe në të kaluarën, Bertolini nuk përjashton mundësinë që fitorja t’i jepet Çekisë. UEFA ka paralajmërua se ka filluar hetimet kundër Kroacisë. Trajneri kroat Ante Çaqiq përdori fjalë të qarta kundër shkaktarëve të incidentit: «Këta nuk janë fansa, por terroristë, kjo është e dhimbshme. Ata po shkatërrojnë gjithçka».

Pas incidentit mediumet e Zagrebit krahas mallkimit të «fansave» po supozojnë se Kroacisë i kërcënohet përjashtimi nga garat. Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq i ka dënuar huliganët dhe ka thënë se ata do të dënohen. Gazeta Jutarnji list kërkoi 10 vjet burg për secilin huligan, ndërsa lojtari Ivan Perishiq deklaroi: «Po ndjehem si i mjerë, më mirë mos të luajmë dhe të mos turpërohemi». (-lli)