Krizë energjetike, rreth 23.6 milionë euro importe vetëm për korrikun

Ndërsa pak muaj më parë, niveli i Fierzës qe ndër më të lartit në histori dhe prodhimi qe i bollshëm, menjëherë pas zgjedhjeve të 25 qershorit, kompanitë e sektorit kanë hapur procedura për importe të larta ndërkohë që të dhënat financiare e teknike kanë muaj që nuk publikohen.

Diga e liqenit të Fierzës parë nga pontili i trageteve. Foto: Gjergj Erebara/BIRN



Viti 2016 qe nga më të suksesshmit për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri, për shkak se reshjet qenë të bollshme. Niveli i Fierzës qe gjatë të gjithë vitit shumë më lartë se sa mesatarja historike dhe në disa momente gjatë muajit nëntor, shqetësimi kryesor qe rreziku i përmbytjeve dhe jo rreziku i thatësirës.

Megjithatë, gjashtë muaj më vonë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike dhe Korporata Elektroenergjetike deklarojnë se vendi është në prag të një krize energjetike e cila duhet të zgjidhet përmes importit të energjisë. Më 21 qershor, drejtori teknik i OSHEE Haki Musfata porositi hapjen e procedurave për importimin e 285.6 GWh energji me vlerë të përgjithshme prej 16.4 milionë euro si dhe me çmim mesatar prej 57.4 euro për MWh. Periudha e importimit qe nga data 28 qershor deri më 31 korrik.

Një javë më vonë, drejtori joteknik i OSHEE, Adrian Çela urdhëroi hapjen e procedurave të reja të prokurimit për import shtesë nga data 7 deri më 31 korrik. Në këtë tender, OSHEE bleu 105 GWh energji me vlerë 7.2 milionë euro dhe me çmim mesatar 68.2 euro për MWh. Siç shihet, çmimi i blerjes është rritur nga 57.4 në 68.2, por shifrat nuk janë tërësisht të krahasueshme për shkak se tenderi i fundit është me profilin e furnizimit në pik 14 orë ndërsa tenderi i mëparshëm qe me profil 24 orësh.

Në total, vetëm për të siguruar furnizimin e korrikut, OSHEE do të shpenzojë 23.6 milionë euro.

Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri është në masën 100 për qind me burim nga hidrocentralet dhe hidrocentralet varen nga niveli i reshjeve dhe i prurjeve nëpër lumenj, veçanërisht në kaskadën e Drinit.

Përgjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka importuar mesatarisht rreh 25 për qind të nevojave të saj, por niveli i importeve ka variuar nga 49 për qind e konsumit në vitin 2009 në 13 për qind eksporte neto në vitin 2010. Në vitin 2016, prodhimi vendës i energjisë mjaftoi për të mbuluar të gjithë konsumin si dhe realizoi një eksport neto modest, por në rast se viti 2017 do të jetë i thatë, atëherë Shqipërisë mund t’i duhet të shpenzojë dhjetëramilionë euro vetëm për import.

OSHEE ka përfituar përgjatë tre viteve të fundit nga prodhimi i lartë i energjisë elektrike në vend, si dhe nga ulja e çmimit të blerjes së energjisë nga prodhuesit e vegjël, gjë që ka mundësuar uljen e kostos së blerjeve të energjisë së importuar dhe fuqizimin e bilancit të korporatës. Shpenzimet për blerjen e energjisë qenë 30 miliardë lekë në vitin 2013 por ranë në 26.4 miliardë lekë më 2015. OSHEE ka detyrimin të publikojë bilancin e vet tremujor si pjesë e programit të Bankës Botërore për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike, por ka ndërprerë publikimin e këtyre bilanceve në shtator 2016. Të dhënat e nëntëmujorit 2016 gjithsesi tregojnë për rënie të mëtejshme të kostos së blerjes së energjisë nga 22.6 miliardë në nëntëmujorin respektiv 2015 në 19 miliardë në nëntëmujorin 2016. Por kushtet e thatësirës pritet ta përmbysin këtë situatë. Në rast se prodhimi vendës mbetet i ulët edhe për disa muaj me radhë, bilanci i OSHEE pritet të goditet. Korporata sakaq ka njoftuar se ka në plan të shkurtojë investimet për të rialokuar fondet te blerja e energjisë.

Për momentin qeveria nuk duket se ka mungesë parash për të përballuar importet e dritave. Programi i Bankës Botërore për Rimëkëmbjen e Energjisë ka planifkuar një shumë prej deri në 30 milionë euro në vit për të financuar importet, ndërsa qeveria ka planifikuar në buxhetin e shtetit një rezervë me përmasa të ngjashme për t’u përdorur në rast nevoje.

(https://www.reporter.al/krize-energjetike-rreth-23-6-milione-euro-importe-vetem-per-korrikun/)