Krizë e rëndë kushtetuese në Bosnjë-Hercegovinë

Me ndalimin nga Gjykata Kushtetuese të një referendumi të planifikuar për 25 shtator nga ana e serbëve të Bosnjës, shteti i Bosnjë-Hercegovinës ka rrëshqitur në një krizë të thellë kushtetuese.

Pamje nga Sarajeva. Foto: M DOGAN / Shutterstock.com
Gjatë fundjavës Gjykata Kushtetuese me seli në Sarajevë e shpalli antikushtetues referendumin në pjesën e vendit të kontrolluar nga serbët. Serbët synojnë të injorojnë një vendim të mëhershëm të gjykatës, i cili kërkon që Republika e Serbëve të Bosnjës të heq dorë nga festimi i 9 janari si ditë e themelimit të këtij entiteti serb. Politikanët serbë të prirë nga Radovan Karagjiqi shpallën më 9 janar 1992 të ashtuquajtrën Republika Srpska.
Përfaqësues të lartë të SHBA-së dhe BE-së u kanë bërë apel serbëve të anulojnë referendumin dhe të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, ka deklaruar se referendumi do të mbahet gjithsesi. Politikanë lokalë serbë thanë se kriza kushtetuese e çon vendin në një situatë tepër të rrezikshme. Para së gjithash kritikët e jashtëm frikësohen se referendumi është vetëm test për një referendum tjetër mbi shkëputjen e entitetit serb nga Bosnja.
Boshnjakët, siç e quajnë veten myslimanët e Bosnjës, theksojnë se shënimi i 9 janarit si ditë e themelimit të Republikës së Serbëve lëndon ndjenjat e viktimave. Sipas të dhënave të fundit gjatë konfliktit në Bosnjë (1992-1995) u vranë rreth 100 mijë veta, shumica prej tyre boshnjakë myslimanë. (-lli)