Kriza e refugjatëve teston zemrën e Evropës: Kufijtë e hapur

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian kanë shtuar masat e kontrollit në zonat kufitare, duke krijuar kolona të gjata në kufijtë e dikurshëm komunistë, deri në 12 kilometra. Në shpjegimin e tyre zyrtar thuhet se kështu po luftojnë trafikimin e qenieve njerëzore.




Vjenë – Emigrantët dhe azikërkuesit që kanë vërshuar Evropën –  dhjetëra mija –  dhe paaftësia e deritanishme për akomodimin e tyre në mënyrë të organizuar mund të zbehë zotimin e përkushtimit të Evropës për shlyerjen e kufijve të vjetër.

Dëshmia e një shfaqje të errët u pa të hënën mbrëma kur autoritetet lokale austriake kanë shkaktuar kaos në trafikun nga Hungaria, duke krijuar kolona deri në 12 kilometra të gjata. Autoritetet kanë thënë se ishin detyruar të kontrollonin makinat dhe kamionët në kuadër të një fushate të organizuar kundër trafikantëve që po fusin refugjatë dhe emigrantë në vendet më të thella të Bashkimit Evropian.

Liria e kufizuar e lëvizjes

Në arsyetimin e shpjegimin zyrtar thuhet se autoritetet po marrin masa kundër kundër vdekjeve masive, si rasti i mbi 70 viktimave në një kamion në Austri, që besohet se ishin trafikuar prej një rrjeti të trafikantëve të organizuar. Por pasojat praktike të fushatës do të thotë se më nuk është punë rutine kontrollimi i pasaportave të udhëtarëve që kalojnë ndërmjet kufirit të Hungarisë dhe Austrisë.

Në një tjetër rast të kaosit në trafik, trenat nga Hungaria ishin paketuar me emigrantë, shumë prej të cilëve në kërkim të statusit të refugjatit në Gjermani. Ata kanë ngelur në Hungari, duke pritur për orë të tëra përpara kufirit austriak. Dikur në orët e vona janë liruar trenat për shkak se ishte krijuar kaos dhe besohej se po shkeleshin të drejtat e pasagjerëve evropianë që mund të ishin duke udhëtuar në drejtim të vendeve perëndimore të Bashkimit Evropian.

Zyrtarët gjermanë e austriakë gjithashtu kanë rritur masat e kontrollit në rajonin kufitar, me shpjegimin zyrtar se janë në vënë në kërkim të trafikantëve të qenieve njerëzore. Ata kanë thënë se po përpiqen të ndalin trafikimin në zonat kufitare.

Dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, duke folur me gjuhë të vendosur për këtë temë, ka paralajmëruar se liria e lëvizjes në mesin e 28 shteteve anëtare të BE-së do të mund të rrezikohej seriozisht nëse nuk do të kishte gatishmëri për t’iu kundërpërgjigjur bashkërisht kësaj gjendjeje.

Evropa me kufij, nuk është Evropë

«Nëse Evropa dështon në çështjen e refugjatëve, nëse prishet kjo lidhje e ngushtë me të drejtat universale civile, atëherë kjo nuk do të jetë më Evropa që e dëshironim», ka deklaruar Merkel para reporterëve në Berlin.

Lëvizja e mallrave dhe njerëzve në Bashkimin Evropian, blloku më i gjerë ekonomik në botë, është perceptuar përherë si çështje e kohezionit, si puna e lëvizjes së lirë brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një kontinent ku tashmë nuk ka një kundërpërgjigje të përbashkët ndaj krizës së borxhit grek dhe lëvizjes së xhihadistëve militantë, fluksi i refugjatëve – që janë kryesisht nga vatrat e trazuara në Lindje të Mesme e Afrikë – duket se vetëm ka thelluar ndasitë.

Nuk ka pasur një qasje të përbashkët për mënyrën e trajtimit të tyre prej momentit kur ata po hyjnë në shtetin e parë anëtar të Bashkimit Evropian. Këto dilema kanë testuar zemrën e vlefshmërisë së Bashkimit Evropian pa kufij të brendshëm, të cilin vendet në skajet e bllokut po e rrethojnë dhe po kërkojnë të ashpërsohen masat e sigurisë.

Rikthimi i kufirit komunist

Disa prej këtyre vendeve, si puna e Greqisë, Italisë e Hungarisë, thonë se janë shumë keq ekonomikisht që të pranojnë refugjatë si shtetet e para ku ata shkelin në territorin e BE-së. Megjithatë, shumica e emigrantëve nuk janë të interesuar të qëndrojnë në këto shtete. Ata po ia mësyjnë kryesisht Gjermanisë, që ka bërë të ditur se sivjet pret arritjen e 800 mijë refugjatëve.

Merkel u ka bërë thirrje krerëve të vendeve anëtare që të ndahet hisja e përgejgjësisë, por menjëherë ka pësuar një goditje përpjekja e saj kur të hënën Sllovakia e Republika Ceke kanë thënë se do të kërkojnë krijimin e një aleance me Hungarinë për t’i rezistuar shpërndarjes së bazuar në kuota për vendet anëtare.

Kjo çështje me gjasë do të diskutohet në takimin e ministrave të brendshëm të Bashkimit Evropian që do të takohen në një seancë të jashtëzakonshme më 14 shtator për të përcaktuar se cila do të jetë kundërpërgjigja ndaj valës së refugjatëve, më e madhja prej kohës së Luftës së Dytë Botërore me të cilën po përballet Evropa.

Policia austriake, që të dielën mbrëma nisi kontrollimin e makinave në kufirin e dikurshëm komunist, ka raportuar për 200 emigrantë dhe të arrestonin së paku pesë persona që dyshohet se ishin trafikantë të qenieve njerëzore.

«New York Times»