Kriza e refugjatëve rrezikon shpërthimin e ekstremizmit të djathtë në Europë

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, ka thënë sot se, nëse kriza me emigrantë në Evropë nuk adresohet siç duhet, do të ketë rrezik që në kontinent të shpërthej ekstremizmi i krahut të djathtë.




Timmermans gjithashtu ka thënë se duhet të ketë mbrojtje më të mirë të kufijve të Bashkimit Evropian për t’u përballur me mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika.

«Ne duhet të sigurohemi se vendet nga vijnë këta njerëz janë vende më të mira dhe të sigurohemi që këta njerëz që nuk kanë të drejtë azili të kthehen nëpër shtetet e tyre», ka thënë Timmermans për BBC-në, transmeton Koha.net.

«Nëse nuk jemi të aftë të përballemi me këtë problem, nëse nuk jemi të aftë që të gjejmë zgjidhje, në kontinentin evropian do të shpërthejë ekstremizmi i krahut të djathtë», ka shtuar ai.

Komentet e tij vijnë pasi liderët e BE-së kanë shpenzuar së paku 1 miliard euro për refugjatët sirianë në Lindje të Mesme.