Kritikohen gjestet «diplomatike» të Pacollit në OKB

Papërgjegjësi, huti dhe humor bizar: nga shëtitjet e ministrit të Jashtëm të Kosovës korridoreve të ndërtesës së OKB-së në New York.

D. Trump dhe B. Pacolli. Foto: Insajderi



Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, të martën mbrëma, përmes rrjeteve sociale kishte njoftuar publikun për disa takime në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Njëri njoftim ishte publikuar me video ku përmes shtrëngimit të duarve, Pacolli përshëndetet me presidentin e ShBA-së, Donald Trump. Në rrjetin social Facebook Pacolli ka shkruar: «Kënaqësi të takohem përsëri me presidentin Donald Trump», ndërsa pas pak minutash e ka ndërruar përshkrimin në: «Kënaqësi të ja shtrëngoj dorën Presidentit Donald Trump».

Video ku dikush e këshillonte Pacollin për t’ia dhënë dorën Trumpit gjithashtu është fshirë nga rrjetet sociale për t’u ngarkuar një video e re ku nuk dëgjohen zëra. Kurse, njoftimi tjetër i diplomatit kosovar përmes rrjeteve sociale ishte ky: «Takime domethënëse: me kryeministrin e Marokut, Saadeddine Othman». Pas këtij njoftimi, kryeministri i Marokut Saadeddine Othmani, ka shkruar në Twitter për sjelljen e Pacollit, duke iu referuar si një zyrtar nga Kosova, i cili e ka imponuar prezencën e tij gjatë një dreke që ai ka pasur dje në New York. «Gjatë një dreke me delegacionin tim, një zotëri nga Kosova e imponoi prezencën e tij. Ne nuk kemi diskutuar për marrëdhënie bilaterale, apo vënie të kontakteve. Pozicioni i Marokut është konstant. Maroku nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka asnjë raport me të», ka reaguar kryeministri i këtij shteti përmes një postimi.

Lidhur me veprimet e fundit të diplomacisë kosovare, Skender Hyseni, ish-Ministër i Punëve të Jashtme, i kontaktuar nga KALLXO.com, ka vlerësuar se në diplomaci, imponimi është gjest i rëndë. Duke sqaruar se nuk është i informuar për veprimet e djeshme të Pacollit, Hyseni tha se përgjigjet mund t’i jap në mënyrë parimore. «Në diplomaci është gjest i rëndë nëse imponohesh dhe nuk guxon të imponohesh», tha Hyseni. Sipas Hysenit, diplomatët duhet të luftojnë për rezultate, por pa imponime dhe pas takimeve publiku duhet të informohet me pëlqimin e të dyja palëve. «Duhet të luftohet për rezultatet por jo të imponohesh e aq më pak të komunikosh me opinion pa pëlqim paraprak të dyanshëm», u shpreh Hyseni.

Se a vlerësohet takim shtrëngimi i duarve, Hyseni tha se në Asamble të Përgjithshme në New York, është krejtësisht e natyrshme që të ketë edhe shtrëngim duar të rastësishëm nëpër dhoma të delegatëve, dhoma të pritjes e nëpër korridore të OKB-së. «Ndodh shpesh që të shtrëngosh duart me dikë që nuk ke pasur paraprakisht takim të caktuar, ose agjendë të caktuar. Nuk e shoh si problematike shtrëngimin e duarve të rastësishme ose një fotografi të rastësishme. Është më problematike nëse kjo bëhet publike pa pëlqim të dyanshëm, po unë këtu nuk do të hyj në detaje sepse nuk i kam informatat», përfundoi Hyseni.
Ndërkaq, edhe Jehona Lushaku-Sadriu, ligjëruese në departamentin e Shkencave Politike dhe njohëse e proceseve integruese në BE, vlerëson se shkëmbimi i duarve me liderë nuk garanton lobim dhe nuk cilësohet takim i nivelit të lartë. «Para së gjithash të gjitha këto ‘incidente’ po dëshmojnë se delegacioni i Kosovës nuk ka ndonjë agjendë me objektiva të qarta dhe me ndonjë strategji përmbajtjesore lobimi. Shkëmbimi i duarve me liderë nuk garanton lobim minimal dhe as që mund të cilësohet si takim i nivelit të lartë», tha Lushaku-Sadriu.

Kurse, sa i përket takimit me kryeministrin mariokien, Lushaku-Sadriu, tha se nëse qëllimi i Pacollit ishte lobimi për Kosovën, atëherë e ka arritur krejtësisht të kundërtën. «Nëse takimi me kryeministrin maroken ka qenë me qëllim lobimi, atëherë ka arritur tërësisht të kundërtën, ngaqë kryeministri i Marokut ishte shtyrë të postojë kundër atij takimi», u shpreh ajo. Sipas Lushaku-Sadriut, takimet janë duke u keqinterpretuar nga politikanët kosovarë, si takime me liderë botëror. «Ky keqinformim është jo korrekt ndaj qytetarëve dhe tregon për papërgjegjësi totale», tha ajo.

Për deklaratën e kryeministrit të Marokut ka reaguar edhe vetë Pacolli, duke i fajësuar mediat në Kosovë, pasi sipas tij takimi ishte i akorduar. «E vërteta me kryeministrin e Marokut është ndryshe nga ajo e reflektuar nga disa media kosovare. Unë dje kisha takim të akorduar, me shkrim, me kryeministrin, (shif poshtë); sidoqoftë metri diplomatik nuk ka krahasim me metrin mediatik», ka shkruar Pacolli në Facebook. Përveç këtyre takimeve, ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli cili mban pozitën edhe të zëvendëskryeminsitrit, ishte takuar edhe me Susuga Tuilaepa Sailele Malielegaoi, kryeministër i Samoas, ia kishte «huqur» më fotografitë e takimit duke e ngatërruar atë më një tjetër diplomat të huaj.