Krimet e urrejtjes alarmojnë Komitetin e Helsinkit në Maqedoni

Krimet e urrejtjes, kryesisht ato me motive politike, u rritën ndjeshëm vitin e kaluar dhe në gjysmën e parë të këtij viti, tha Komiteti i Helsinkit në Maqedoni, duke prezantuar një raport të ri.

Trazira në Shkup. Foto arkiv BIRN.



Komiteti i Helsinkit në Maqedoni regjistroi 70 krime urrejtjeje vitin e kaluar, që ishte një rritje prej 60 për qind në krahasim me vitin e mëparshëm. Megjithatë, autoritetet ngritën padi penale vetëm në 17 raste, vuri në dukje Komiteti.

Raporti i tij i fundit tha se 34 sulme, afërsisht gjysma e të gjithë krimeve të urrejtjes të evidentuara, u dukën të motivuar nga përkatësia etnike dhe shumica ndodhën midis të rinjve me etni maqedonase dhe atyre me etni shqiptare.

Komiteti tha se ky zhvillim ishte shqetësues dhe mund të dëmtonte marrëdhëniet etnike në vend.

Megjithatë, raporti vërejti gjithashtu një rritje të theksuar të krimeve të motivuara nga përkatësitë e ndryshme politike.

Vitin e kaluar, ai regjistroi 21 krime urrejtjeje me motive politike, në krahasim me pesë të tilla të regjistruara në vitin 2015.

Teksa prezantonte raportin, kreu i Komitetit, Uranija Pirovska, fajësoi për rritjen e sulmeve me motive politike gjuhën e urrejtjes që vinte nga qendrat e pushtetit politik gjatë krizës politike të vitit të kaluar dhe asaj të këtij viti.

Ajo theksoi se mësymja në parlament në prill të vitit 2017 – kur mbështetës të ish-partisë qeverisëse VMRO DPMNE u futën me dhunë në parlament dhe plagosën rreth 100 vetë, përfshirë 10 deputetë – si një shembull të goditur të krimit të urrejtjes me motive politike.

«Incidenti u parapri nga një nivel i jashtëzakonshëm gjuhe urrejtjeje dhe thirrje për dhunë», tha Pirovska në konferencën për shtyp.

Ndërsa raporti nuk nxori në pah asnjë sulm të motivuar nga orientime të ndryshme seksuale vitin e kaluar, komiteti tha se kjo nuk do të thotë se vendi ishte kujdesur të mbronte grupet e pakicave seksuale.

Për të treguar këtë, Pirovska tha se në qershor të vitit të kaluar ata vunë re një rritje serioze në gjuhën e urrejtjes bazuar në orientimin seksual dhe gjininë, që rezultoi në gjashtë akuza të raportuara tek autoritetet përkatëse.

Pisovka tha se kjo rritje përkoi me lajmin për ndërhyrjen e parë kirurgjikale në vend për ndryshim seksi dhe me mbajtjen e «Pride Weekend».

Emigrantët dhe refugjatët që kalojnë në vend gjatë rrugës së tyre drejt Europës Perëndimore qenë gjithashtu viktima të krimeve të urrejtjes, vuri në dukje raporti.

Ai numëroi 11 incidente të tilla në të cilat njerëz nga Lindja e Mesme u torturuan, rrahën dhe grabitën, kryesisht nga persona të paidentifikuar.

(https://www.reporter.al/krimet-e-urrejtjes-alarmojne-komitetin-e-helsinkit-ne-maqedoni/)