Krimet e luftës: «injoranca e angazhuar» e shoqërisë serbe

Sipas një ankete mbi 80 për qind e serbëve thonë se nuk dinë asgjë për varrezat masive në Serbi, ku regjimi pati fshehur kufomat e shqiptarëve të Kosovës. Por, historiania Dubravka Stojanoviq ka një mendim tjetër për injorancën e serbëve: «Nuk është se nuk e dinë, por nuk duan të dinë».

Kamion me kufoma të shqiptarëve në liqenin Peruçac afër Bajna Bashtës, Serbi. Foto: Sense Agency



Para portave të Beogradit gjendet Batajnica. Në Batajnicë policia serbe ka një bazë të madhe. Në vitin 1999 kjo bazë u shndërrua në varrezë masive. Rreth 1000 kufoma të shqiptarëve të Kosovës u sollën këtu për të fshehur gjurmët e krimit. Pas rrëzimit të regjimit të Sllobodan Millosheviqit qeveria e re serbe e prirë nga Zoran Gjingjiqi hapi varrezën dhe lejoi kthimin e kufomave në Kosovë. Lajmi për zbulimin e varrezës masive në Bajanicë në vitin 2001 ka dominuar në mediat ndërkombëtare, por edhe serbe, të cilat s’kanë mundur ta injorojnë. Megjithatë, sipas një ankete të agjencisë serbe «Demostat» më shumë se 80 për qind e serbëve (të anketuar) nuk i di vendet e varrezave masive në Serbi. Pra, nuk e dinë se në Batajnicë nga shteti serb janë groposur qindra shqiptarë dhe në liqenin Peruçac afër Bajna Bashtës janë hedhur mbi 80 kufoma.

NDALOHET RIBOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Sa i përket krimeve të luftës në Serbi ekziston një refuzim pothuaj kolektiv për të pranuar të vërtetën. Sipas anketës së «Demostat» rreth dy të tretat e të anketuarve mendojnë se Gjykata e Hagës është «antiserbe». Afërsisht po aq mendojnë se në luftërat në ish-Jugosllavi serbët kanë qenë viktimat më të mëdha. 70 për qind e të anketuarve nuk ka qenë në gjendje të tregojë se cili qytet i ish-Jugosllavisë ka qenë i rrethua dhe bombarduar për 4 vite. Ka qenë Sarajeva, ku forcat serbe vranë mbi 10 mijë civilë e mbrojtës të kryeqytetit të Bosnjë-Hercegovinës, mes tyre mbi 1600 fëmijë. Sipas të dhënave të OKB-së viktimat më të mëdha të konflikteve jugosllave janë boshnjakët – me mbi 100 mijë të vrarë. Serbët kanë humbur 23 mijë persona në luftërat në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Gjatë viteve 1998/99 forcat serbe në Kosovë kanë vrarë mbi 10 mijë civilë shqiptarë dhe kanë dëbuar nga shtëpitë e tyre afër një milion banorë, duke shkatërruar tërësisht apo pjesërisht mbi 100 mijë objekte banimi.

40 për qind e të anketuarve në Serbi thonë se nuk kanë dëgjuar se në Srebrenicë ka ndodhur diçka e rëndësishme në vitin 1995, ndërsa pjesa tjetër ose mendojnë se aty janë vrarë serbët ose thonë se ka ndodhur një krim, por pa përmendur se krimin e kanë kryer forcat serbe.

NDALOHET RIBOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Historiania Dubravka Stojanoviq i ka deklaruar BBC-së në serbisht se qytetarët serbë refuzojnë të pranojnë të vërtetën. «Nuk është se nuk e dinë, por nuk duan të dinë», tha ajo. Për këtë qëndrim ajo ka gjetur edhe një nocion shkencor: «injorancë e angazhuar». Kjo, sipas saj, është rezultat i përpjekjes së përbashkët të pushtetit dhe qytetarëve. «Njerëzit nuk duan të dinë, sepse kështu e lirojnë veten nga përgjegjësia për krimet që janë kryer në emër të tyre. Ndërsa pushteti hedh poshtë këtë temë, sepse frikësohet se duhet të paguajë dëmshpërblim», deklaroi Stojanoviq për BBC.

Anketa e «Demostat» ka nxjerrë edhe një të dhënë tjetër irrituese: gati gjysma e të anketuarve mendojnë se në shkolla nuk duhet të mësohet për krimet e luftës, ndërsa një e treta është kundër që për këtë temë të raportojnë mediat. (dp)