Krimbat e Shqipërisë

Foto: Shutterstock

Tërë bota mir’ e dinë
Se mikrobet e Kolerës
Vënd e vatrë kan’ Azinë,
Siç e dinë aqe njerës.

Andaj ruhen, lark e ndjekin,
Lyhen, lahen me shëllirë,
Rrobat, shtresat mos e prekin,
Zjejnë ujët për t’u pirë.

Druhen, dridhen nga rreziku,
Ball’ i bëjnë lark t’u vejë,
Se prish punë, është’ armiku
I së mbarës ku ta gjejë.

Dhe ne duhet sa më parë
Përkujdesje pra të marrim,
Të këtijve shqipëtarë
Shenja qafës t’iu mvarim.

Që t’i njohë bot’ e tërë
Për sëmundjen që po kanë
Dhe të dinë ç’kanë bërë
Që u hiqen gjith’ mënjanë.

Se po lamë hapur vëndin,
Nisin shijnë si ndë lëmë,
Hyjnë vatrës, pshtyjnë këndin
Si murtaja që sjell gjëmë.

Pa na mbushin muret, shkallat,
Më çdo anë kudo jemi,
Nër shtëpitë, dhomat, sallat,
Librat, shkollat që i kemi!

Pra së bashku t’i përzëmë
Si ca njerës që menjtojmë,
Që të çporren lark ndë nëmë,
Se ne pranë s’i afrojmë.

Dhe mos paçim pak shëllirë
Që t’u lagim gjuh’ e gojë,
A ndë plehrat duk’ i fshirë,
Marrim shkopin ndë nevojë.

Udhën prapë t’u rrëfejmë,
T’ikin tutje, mbanë qjellit:
Ne mikrobet s’i ushqejmë,
Le të venë prapa djellit!