Krerët e shtetit: Kush e lufton korrupsionin është patriot

Krerë institucionalë po e vërtetojnë atë që çdo ditë po e thonë ndërkombëtarët, se Kosova po vazhdon të jetë me nivel të lartë të korrupsionit.




Atë e pranuan edhe sot presidentja, kryeministri e kryeparlamentari. Krerët e shtetit i quajnë heronj dhe patriotë ata që e luftojnë korrupsionin.

Kanë kaluar më shumë se tre vjet, prej kur është themeluar Këshilli Kombëtar kundër korrupsionit, i udhëhequr nga presidentja e vendit Atifete Jahjaga, dhe tash e tre vjet, fjalimet në këtë tryezë janë gjithmonë të njëjta, raporton KTV.

Kështu, sërish u bënë bashkë të gjithë krerët institucionalë, për të pranuar atë që vazhdimisht e thonë ndërkombëtarët, se ka korrupsion në çdo cep të Republikës, duke nisur nga niveli më i lartë i pushtetit.

Nikoqirja e takimit, presidentja Atifete Jahjaga, tha se vonesat në trajtimin e rasteve të korrupsionit po e zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e republikës.

Ajo tha se nuk ka patriotizëm me të madh për shtetin dhe të ardhmen e tij sesa deklarimi dhe vërtetimi i korrupsionit.

E kryeministrin Isa Mustafa duket ta ketë nervozuar fraza e përhershme, kapja e peshqve të mëdhenj.

E për kryeparlamentarin Kadri Veseli lufta kundër korrupsionit është akt patriotik, e ata që e denoncojnë atë janë heronj.

Ndërsa ambasadori amerikan në Kosovë tha se luftimi korrupsionit kërkon shumë punë dhe përpjekje të të gjithëve, derisa e ofroi ndihmën e SHBA-së në këtë drejtim.

«Sondazhet në Kosovës tregojnë që opinioni publik në Kosovë e sheh korrupsionin si problem të rëndë, organizata vëzhguese ndërkombëtarë si Transparency International dhe Banka Botërore kanë arritur në të njëjtat përfundime. Edhe pse renditja e Kosovës është më e mirë sesa e Shqipërisë, prapë Kosova mbetet prapa shteteve konkurruese të rajonit, si Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Bosnja», ka thënë Greg Delawie, ambasador amerikan në Kosovë.

Raporte të ndryshme vendore e ndërkombëtare nga dita në ditë Kosovën e nxjerrin keq e më keq në luftën kundër korrupsionit.