«Krejt politika e tij është e ndërtuar mbi gënjeshtra»

Filozofia e njohur hungareze Agnes Heller mbi zgjedhjet parlamentare në Hungari dhe popullizmin e kryeministrit Viktor Orban.

Viktor Orban.



Agnes Heller është 88-vjeçare. Pas kryengritjes hungareze kundër Bashkimit Sovjetik më 1956 ajo u përjashtua nga Partia Komuniste. Më 1977 emigroi në Australi. Tani kjo filozofe, e cila ka ligjëruar edhe në New York, sërish jeton në Budapest dhe është kritike e ashpër e kryeministrit popullist Viktor Orban. Heller e ka mbijetuar Holokaustin. Në një intervistë me gazetën gjermane «Süddeutsche Zeitung» në prag të zgjedhjeve parlamentare në Hungari, Heller flet për gjendjen në këtë vend.

Heller e akuzon kryeministrin Orban se e ka shkatërruar Hungarinë me politikat e tij. «Politikisht ai i ka kufizuar liritë, para së gjithash ne nuk kemi më liri të shtypit. Dhe nga paratë që Hungaria i ka marrë nga Bashkimi Europian – sipas llogaritjeve të ekonomistëve – 20 deri 30 për qind kanë përfunduar në xhepat e Orbanit dhe njerëzve të tij. Domethënë: ata vjedhin. Po ashtu krejt politika e tij është e ndërtuar mbi gënjeshtra».

Heller kritikon sidomos fushatën e vazhdueshme të Orbanit dhe partisë së tij Fidesz kundër të huajve. «Tërë propaganda sillet rreth asaj se miliona emigrantë do të vijnë në Hungari – dhe të gjithë opozitarët gjoja nuk bëjnë gjë tjetër përveç se t’i sjellin ata në banesat tona. Këto gënjeshtra janë thjeshtë budallallëk».

Heller është e bindur se kësaj radhe Orban, pas tetë vitesh në pushtet, nuk do të triumfojë  në zgjedhje, ai mund të fitojë, por, sipas saj, atmosfera në vend ka ndryshuar dhe popullsia është më aktive. «Viteve të kaluara ajo ka qenë pasive, sepse njerëzit besonin se s’mund të ndryshojnë asgjë». Heller është e bindur se edhe nëse partitë opozitare – e majta dhe e djathta që përfaqësohet nga partia Jobik – nuk do të bashkëpunojnë mes vete, zgjedhësit do të kooperojnë, sepse «janë ngopur me Fideszin». Jobik një kohë të gjatë ka përfaqësuar qëndrime ekstreme të djathta, por kohëve të fundit po përpiqet të pozicionohet në qendër për shkak se Orban me partinë e tij tashmë kanë arritur të dominojnë temat e së djathtës.

Heller thotë se BE ka mundur të bëjë më shumë kundër popullistëve të djathtë në Hungari, por, sipas saj, problemi i vërtetë është ky: «Më 1990 Hungaria e ka fituar lirinë si dhuratë. Nuk kemi paguar për këtë, siç kanë paguar rumunët, dhe ne nuk dinim çfarë të bënim me këtë liri. Politikanët tanë kanë qenë tmerrësisht naivë – dhe për këtë arsye na është shfaqur Orbani, i cili fare nuk është naiv. Ai është njeri me instinkt pushteti, asgjë tjetër përveç pushtetit atij nuk i intereson. Me Orbanin ne po paguajmë borxhin e papaguar».

Filozofia e famshme hungareze me origjinë hebraike mendon se aktualisht në Europë konflikti nuk po zhvillohet më mes të majtës dhe të djathtës si në shekullin e kaluar ose më herët mes republikanizmit dhe moranisë. «Tani beteja zhvillohet mes federalizmit dhe antifederalizmit, domethënë mes nacionalistëve dhe përkrahësve të BE-së. Në mbarë Europën aktualisht po lidhen fejesa mes nacionalistëve. Për aq kohë sa kjo vazhdon, Orban i ka punët mirë. Por ai as në Hungari nuk e ka shumicën. Vetëm një pakicë e adhuron atë për shkak të nacionalizmit të tij».

Heller thotë se asgjë nuk mund të përjashtohet nëse Orban humb zgjedhjet. «Ai nuk do të toleronte fundosjen e tij. Ai ka thënë se të gjithë opozitarët janë spiunë dhe ushtarë të George Sorosit. Nuk e dimë nëse do të përdorë dhunën, por edhe kjo është një mundësi. Gjithçka mund të merret me mend kur bëhet fjalë për të. Hungaria nën të tashmë është një diktaturë». (dp)