Krasniqi: Peticioni është zëri i qytetarëve, është protestë legjitime

Ish kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bindjen se sot qeveria foli përmes opinionistëve, për të qenë «analizat» e saja më bindëse për qytetarët, për të mbytur zërin e qytetarëve që janë zoti i vërtetë i këtij vendi.




«Ata po harrojnë se edhe në të kaluarën kishte ‘marrëveshje’ për t’ju aneksuar Serbisë, se kishin arritur t’i bindin disa delegatë në Prizren (korrik 1045), ‘se ishte interesi i Kosovës që t’i bashkohej Serbisë, se Shqipëria ishte e varfër’. Po edhe në atë kohë, kishin qenë disa zëra që patën kundërshtuar, ani pse ata do të dënoheshin me burg të përjetshëm. Por nuk pat munguar as zëri i guximit njerëzor i Ramiz Cërnicës, i cili kishte thënë: ‘Me Shqipërinë, JO me Serbinë’!», ka thënë Krasniqi.

Më tej, Krasniqi ka vazhduar historinë se pas Kuvendit, kur Rifat Berisha ia kumtoi lajmin Tahir Berishës, se Kosova i ishte aneksuar Serbisë, ai i thotë: «se shumë gjak do të derdhet për të ndryshuar ketë vendim».
«Se nga e si ecëm për të ardhur deri të 17 shkurti i vitit 2008 e dimë të gjithë. U deshën mbi 600 shekuj burg për ata që guxuan të kërkojnë çlirimin nga Serbia, u deshën qindra mijëra shqiptarë të shpërndarë në katër anët e Globit, u deshën rreth 100.000 viktima e martirë pas Luftës se Dytë Botërore e shkatërrime të shumta ekonomike. Jo vetëm këto që i ceka, ishin pasojë e një vendimi mendjelehtësh. Edhe atëherë vendimi ishte marrë nën presion e frikë. E sot?», pyet Krasniqi.

Krasniqi thotë se po i thotë këto jo pse po do që të vë shenja barazimi, në mes së sotshmes e se djeshmes, por për të treguar sesa të dëmshme janë vendimet që merren nën çdo formë të diktatit apo presionit.
«Sesa të dëmshme janë vendimet që merren pa e dëgjuar zërin e qytetarëve te vendit. Nuk kam asnjë dyshim, siç nuk ka as shumica e qytetarëve tani, se koalicioni qeverisës është duke qeverisur keq, madje tepër keq. Gjithë veprimet e vendimet e saj, me vërejtjet e Shoqërisë Civile, te këtyre dite e konfirmojnë ketë. Edhe marrëveshja e 25 gushtit në Bruksel me marrëveshjen e demarkacionit janë tepër të dëmshme për Republikën tonë. Për këto arsyeje të cekura e për shumë të tjera që nuk i ceka, duhet të merr pozicion qytetari ynë», ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka bindjen se nënshkrimi i Peticionit që po e afron opozita e bashkuar nga ana e qytetarëve, është akti më i rëndësishëm i qytetarëve, është vërejtja më serioze që qytetarët ua bëjnë shërbëtorëve të tyre, zyrtarëve të shtetit.
«Çdo zyrtar i zgjedhur, i emëruar apo zyrtar tjetër që paguhet nga paraja publike, është shërbëtor i qytetarëve e jo zot i tyre, si po pretendojnë e krekosen qeveritarët tanë. Nënshkrimi i Peticionit nga qytetarët është forma më qytetare e protestës, është vërejtja më serioze paqësore e demokratike, që u drejtohet atyre që nuk po dinë të qeverisin, atyre që po marrin vendime të dëmshme për vendin, atyre që po u lënë pasoja të pa parashikueshme gjeneratave të ardhshme», ka thënë Krasniqi. «Është momenti i fundit,që qeveritarët duhet të tërhiqen nga marrëveshjet e dëmshme, të cilat ende nuk janë të finalizuara, pasi ende nuk kanë folur përfaqësuesit e popullit. Ky edhe është mesazhi i nënshkruesve të peticionit! Mesazhi është fisnik, për secilin që dinë ta lexoj shqip!», ka shtuar ai më pas.

Në fund Krasniqi ka shkruar se «qytetarët duhet të vrapojnë për të shprehur qëndrimin e tyre, për një të ardhmen më të sigurt për fëmijët e tyre».