KQZ-ja bëhet për herë të parë me plan strategjik




Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Fondacionin Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) publikuan Strategjinë e Punës së KQZ-së 2015-2018.

Në këtë prezantim morën pjesë përfaqësues të ambasadave të akredituara në Kosovë, subjekteve politike, organizatave jo qeveritare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Fillimisht, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka falënderoi USAID-in dhe IFES-in për mbështetjen e madhe dhënë KQZ-së në hartimin e këtij Plani Strategjik.

Duke folur për rolin kushtetues dhe ligjor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetarja Daka u shpreh se KQZ ka rolin e vet në hapësirën institucionale për të forcuar demokracinë përmes zgjedhjeve.

«Ky mbetet vizioni i KQZ-së, i cili ka për qëllim që zgjedhjet të gëzojnë besimin e qytetarëve dhe të akterve të tjerë. Në këtë drejtim, KQZ vazhdimisht është përkushtuar për organizimin e zgjedhjeve të besueshme dhe me standard të lartë, duke ofruar shërbime cilësore zgjedhore për të gjithë qytetarët me të drejtë vote – për ushtrimin e të drejtës së tyre: për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur», tha Daka.

Ndërsa, në fjalën e tij Drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, përgëzoi KQZ-në dhe IFES-in për punën e bërë.
«Plani Strategjik i KQZ-së shënon fillimin e një udhëtimi ku KQZ dëshiron të arrijë brenda katër viteve. Ky është një mjet që ndihmon institucionin tuaj për të marrë vendime strategjike në lidhje me çështjet kritike që kanë ndikim në institucionin tuaj dhe besimin e përgjithshëm në procesin zgjedhor», tha Hope.

Në vazhdim të këtij takimi, kryeshefi ekzekutiv i SKQZ-së, Enis Halimi, prezantoi para të pranishmëve përmbajtjen e Planit Strategjik.
«Përmes këtij dokumenti e kemi të qartë se çfarë institucioni duam të zhvillojmë dhe çfarë synimesh kemi për këtë periudhë».

Në fund, duke folur për praktikat ndërkombëtare të Planifikimit Strategjik për Trupat Menaxhuese Zgjedhore, Shefi i Zyrës së IFES-it për Kosovë, Alan Wall tha se «Plani i parë strategjik i KQZ-së është e arritur thelbësore në modernizimin e KQZ-së dhe do të promovojë harmonizimin e përpjekjeve të të gjithë anëtarëve dhe stafit të KQZ-së për avancimin e demokracisë në Kosovë».

Duke u bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet KQZ-së dhe USAID-it, KQZ –ja është përkrahur nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) me ekspertizë dhe mbështetje logjistike, për të hartuar Strategjinë e KQZ-së 2015-2018.

Kjo strategji përmban orientimin strategjik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për periudhën 2015-2018. Përmes saj, KQZ synon rritjen e sukseseve në operacione zgjedhore, informim më të mirë të votuesve, fuqizim institucional, listë sa më të saktë të votuesve, rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje, inovacionin dhe përdorimin e teknologjisë, rritjen e bashkëpunimit me akter të jashtëm si dhe plotësimin e kornizës ligjore brenda kompetencave të KQZ-së.