KQZ i heq mandatet Elvis Rroshit, Dashamir Tahirit dhe Shkëlqim Selamit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot «pushimin nga puna» të kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi dhe dy deputetëve, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, si pjesë e ligjit për «dekriminalizimin e politikës».

Edi Rama me Elvis Roshin. Foto: reporter.al.



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu përgjigj sot kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme duke shpallur të pavlefshme dhe duke ndërprerë mandatet e një kryebashkiaku dhe dy deputetëve, për shkak se këta të fundit rezultuan se kanë gënjyer në vetëdeklarimet e tyre për «pastërtinë e figurës», të njohur gjerësisht si «formularët e dekriminalizimit».

Kryetari i KQZ Denar Biba shpalli vendimin e marrë me dyer të mbyllura, ku shumica e anëtarëve të KQZ votuan për shkarkimin e zyrtarëve.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara, e cila ka bërë presion të vazhdueshëm përgjatë tri viteve të fundit për dekriminalizimin, e përshëndeti vendimin e KQZ në një deklaratë për shtyp.

«Vendimi i sotëm është një fitore për popullin shqiptar dhe një paralajmërim për kriminelët që po mendojnë a të jenë kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar që plotësojnë deklarata false duhet të ndëshkohen me gjithë forcën e ligjit. Personat me dosje penale nuk mund të kenë vend në përfaqësimin e shqiptarëve», thuhet në deklaratë.

Elvis Rroshi, kryebashkiak i Kavajës që nga viti 2011, rezultoi se pati gënjyer në formularin e tij të dekriminalizimit duke mos raportuar një dënim për përdhunim në grup të marrë në Itali si dhe një rast të lidhur me trafikun e drogës në Zvicër. Pas zbulimit nga ana e Prokurorisë të dënimit në Itali dhe përzënieve në Zvicër, Rroshi u arrestua me urdhër të prokurorisë në qershor të këtij viti. Ai është aktualisht në ndjekie të lirë për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve si dhe gjendet nën hetim për falsifikim tenderësh. Në një çështje tjetër, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar të dhëna në SHBA për Rroshin, nën dyshimin e pjesëmarrjes në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Në maj 2016, Rroshi shpalli në Facebook se kishte dhënë dorëheqjen si kryebashkiak për shkak të dënimeve të tij në të shkuarën, por deklarata nuk u shoqërua me dorëheqje formale.

Deputeti i Vlorës Dashamir Tahiri është raportuar nga policia italiane në qytetin e Foxhias për falsifikim parash ndërsa në një rast të dytë, është dënuar me 9 muaj burg më 1999 në qytetin e Ravenës për përdorim dokumentesh të falsifikuara. Sipas prokurorisë, Tahiri ka mbrojtur veten duke thënë se qe viktimë e rrethanave të pafat.

Deputeti tjetër po nga Vlora, Shkëlqim Selami, por që i përket partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka pasur një masë sigurie arrest me burg në qytetin e Brindizit në Itali, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, në një ngjarje të ndodhur në vitin 1994. Por kjo masë sigurie raportohet se është ekzekutuar në vitin 2006.

Ligji Për Pastërtinë e Figurës, i njohur gjerësisht si ligji i dekriminalizimit të politikës, u miratua në fillim të këtij viti pas një beteje njëvjeçare, me mirëkuptim mes maxhorancës dhe opozitës. Ligji detyron të gjithë zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar të deklarojnë të shkuarën e tyre penale, nën kërcënimin e shkarkimit nga detyra nëse gënjejnë, ndërkohë që kryerja në të shkuarën e disa veprave të rënda penale sjell shpalljen e personit të papërshtatshëm për të mbajtur poste publike.

Para hyrjes në fuqi të ligjit, deputeti socialist Arben Ndoka, i dënuar për trafik qeniesh njerëzore, dha dorëheqjen.

Rroshi, Selami dhe Tahiri janë zyrtarët më të lartë deri tani që kanë rënë në rrjetën e ligjit për dekriminalizimin e politikës.

(https://www.reporter.al/kqz-i-heq-mandatet-elvis-rroshit-dashamir-tahirit-dhe-shkelqim-selamit/)