Kot fare!



Fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhë një mërgimtari është t’i dalë nga zemra vendlindja. Dhe mëkatari më i madh në këtë mes është ai që bëhet shkaktar për këtë tëhuajsim.

Kjo nuk mund të ndodh më, në situatën kur mërgimtarët gjith kohës ndjekin televizor në gjuhën shqipe, ndonëse më së shumti lajme dhe emisione argëtuese – mund të thotë shumëkush. Po sikur mu aty të jetë sebepi i ftohjes nga vendlindja?!

Politologu amerikan Michael J. Robinson me një studim të vitit 1976 befasoi gjith opinionin e interesuar për zhvillimet shoqërore dhe politike në Amerikë. Ai postuloi tezën se ishte pikërisht televizori, ai i cili po e rrënonte besimin në politikën amerikane. Dhe humbja e besimit në politikë nuk është diçka për t’u injoruar. Ky akordim mund ta sjellë shumë shpejt sistemin politik në stres. Ai zakonisht manifestohet me abstenim nga votimi ose zgjedhje të partive radikale. Ne dimë raste në botë kur nuk kanë vlejtur zgjedhjet, sepse nuk është arritur një pjesëmarrje prej 50 për qind të trupit votues në to. Dëmi më i vogël i kësaj aventure është një kosto e panevojshme financiare.

Mosbesimi në politikë kryesiht drejtohet nga autoritetet e politikës së një vendi. Studime të mëvonshme në fushën e kulturës politike kanë treguar se stërkeqja e mosbesimit në këta aktorë mund të shtrihet deri tek ajo që ata përfaqësojnë: vendi dhe njerëzit.

Robertson tezën e tij e mbështet në depërtueshmërinë e madhe që ka televizioni në publik dhe negativizmin që e karakterizon raportimin e tij. Këtu ka parasyshë strukturën rëfimtare të raportimeve televizive dhe injorimin e fakteve kuantitative – statistikave që sugjerojnë një realitet tjetër, koncentrimin në ngjarje negative, konflikte politike dhe paraqitjen negative të politikanëve. Gjetjet e tij janë studjuar me interesim të madh sidomos në Amerikë dhe Gjermani. Një studim gjerman që meriton ta veçojmë është ai i Christina Holz-Bacha. Ajo pretendon se janë përmbajtjet argëtuese mediatike ato të cilat e cënojnë besimin në politikë.

Ky ligjërim nuk është një pledoaje që mëton të amnistojë politikën nga përgjegjësia për gjendjen dekurajuese ekonomike she sociale në botën shqiptare. Në raportimin e kanaleve tona të lavdëruara këto metoda të dyshimta kultivohen me të madhe në funksion të botës së tyre politike.

Këto media, sidomos përmes formateve të tyre argëtuese, ndjekin hapur amortizimin e përparësive të kundërshtarëve të sponzorëve të vet politik. Emisionet argëtuese, madje humoristike, e ndërrojnë brenda një edicioni formatin e tyre dhe me të gjitha efektet vizuale mediatike në dispozicion sugjestionojnë një trishtim që, sipas tyre, e ka mbëthyer vendin në pushtetin e kundërshtarit politik. Në kontrast të plotë me galerinë e unazave, byzylikëve, orëve të shtrenjta, Montblancëve dhe balerinave të tyre ata raportojnë për mjerimin e qytetarëve në këto kohë moderne. Në mes të një ligjërimi humoristik – kot fare! – fusin emrin e kundërshtarit politik, duke krijuar asociacione negative për të.

Droja ime qëndron në atë se mos një shikues i zakonshëm, duke iu ekspozuar një raportimi permanent mbi vrasje, dhunime, vjedhje, plagosje, do të ftohet jo vetëm nga reprezentuesi politik që ka në shënjestër një medium i caktuar, por edhe nga shqiptarët dhe vendi i tyre.

Fakte të tilla nuk bën të heshten kurrë, por tendenca për nxirjen e realitetit është e qartë sa edhe ajo e zbukurimit të tij. Shikuesin e iriton njëlloj një lajm i vërtetë, si ai mbi një politikan që i kalon pushimet në vend, por që banalizohet aq shumë me raportimin servil mbi detajet e rekordeve të tij të përvitshme.

Mjafton t’i ndjekim një javë këto emisione për të ndërruar destinacionin e pushimeve verore.