Kostiq: S’do të jepen mjete pa kufi, siç kanë dhënë ish- kryetarët

Kryetari i Graçanicës, Vladeta Kostiq, ka pak muaj që është në këtë post. Por është ndoshta ndër të vetmit që sapo është zgjedhur në krye të kësaj komune ka ndryshuar një rregullore dhe Statutin e Graçanicës.




Me të parën ia ka ndalur të drejtën vetes që të japë mjete më shumë se 1000 euro, ndërsa të dytin për të shtuar për 3 numrin e drejtorive.

Projekte të realizuara mund të mos ketë shumë për këta muaj (prej shkurtit 2015) sa është kryetar i Graçanicës. Por, arsyetohet se buxheti i këtij viti është miratuar para se ai të zgjidhej në këtë pozitë.

Në një intervistë dhënë Kohës Ditore, Kostiq flet edhe për marrëdhëniet me shqiptarët për gjuhën e për investimet komunale. «Së pari dua t’jua kujtoj se zyrtarisht unë kam ardhur në muajin shkurt të këtij viti. Dhe ju e dini se buxheti ka qenë i miratuar nga ishkryetari i kaluar. Duke pasur parasysh që buxheti harxhohet në bazë të planifikimeve të projekteve, ato projekte është dashur të realizoheshin», ka thënë Kostiq.

Kreu i Graçanicës thotë se që në ditët e para të punës së tij ishte ballafaquar me përmbytjet në këtë komunë.