Kosovari mashtron autoritetet zvicerane me pasaportë të falsifikuar greke

Një gjykatë në Zvicër ka dënuar me 18 muaj burg një kosovar, i cili me një pasaportë të blerë greke kishte siguruar lejen e qëndrimit në Zvicër. Mashtrimi u zbulua krejt rastësisht.

Foto: Shutterstock



Para gjykatës kosovari i tregua i penduar. Ai tha: «U kam besuar njerëzve, të cilëve nuk është dashur t’u besoj». Aktakuza prej gjashtë faqesh fajësonte kosovarin 34-vjeçar për falsifikim dokumentesh, falsifikim letërnjoftimi, qëndrim të kundërligjshëm në Zvicër dhe punë ilegale.

Kosovari kishte ardhur në Zvicër në mars të vitit 2005 me një pasaportë të falsifikuar greke, shkruan gazeta «Zofinger Tagblatt». Në Entin e Migracionit në kantonin e Zürichut ai prezantoi edhe një letërnjoftim grek. Me këto dokumente ai siguroi një leje qëndrimi pa afat në Zvicër, e cila i jepte të drejtë atij edhe të punojë. Autoritetet nuk e vërejtën se dokumentet greke ishin të falsifikuara.

Gati një vit kosovari punoi si moler në firmën e dhëndrit të tij në qytetin Zofingen në Zvicrën qendrore. Në maj mashtrimi u zbulua – krejt rastësisht. Gjatë një kontrolli policor një kryepunëtor tha se kolegu i ti i punës ishte shqiptar. Por ky ishte prezantuar si grek. Kështu policia ngriti dyshime dhe e dërgoi kosovarin në stacionin e policisë. Atje u konstatua se dokumentet greke ishin të falsifikuara.

Kosovari tha se kishte paguar 15 mijë euro për dokumentet e falsifikuara. Me këto para ai kishte blerë një letërnjoftim, një pasaportë, një kartë identiteti dhe një patentë shoferi. «Ndërmjetësuesi më tha se në shtetin tonë është e lejueshme të ndërrohet emri, vetëm data e lindjes duhet të mbesë e njëjtë», tha ia akuzuari. Kështu ai hoqi dorë nga emri kosovar dhe erdhi në Zvicër me emër grek. Para gjykatës ai u përpoq të mbrohej me argumente aventuriere: tha se nuk e kishte ditur se blerja e këtyre dokumenteve ishte ilegale. Këtë gjoja e kishte kuptuar tek në Zvicër nga policia. Më tutje ai tha se i kishte blerë dokumentet për të fituar para në Zvicër dhe mbajtur familjen në Kosovë. Ai tha se ishte elektricist me profesion, por rroga nuk mjaftonte.

I akuzuari kishte qëndruar edhe në vitin 2009 në Zvicër, po ashtu ilegalisht. Pas zbulimit ishte dënuar dhe dëbuar nga Zvicra. Pak më vonë kishte siguruar dokumentet greke. Gjykata vendosi ta dënojë kosovarin për shkak të falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit të autoriteteve dhe hyrjes ilegale në Zvicër me 18 muaj burg. Pjesërisht ky dënim është me kusht: ai duhet të qëndrojë në burg 7 muaj. 11 muajt e tjerë janë dënim me kusht. Meqë kosovari gjendet në burg tashmë 7 muaj, ai – nëse nuk ankohet – mund të dalë nga burgu në fund të vitit dhe të dëbohet në Kosovë. (-lli)