Kosovari Arid Uka, vrasësi i parë islamik i Gjermanisë

«Allahu akbar» - dhe nëntë plumba: më 2 mars 2011 ekstremisti islamik kosovar Arid Uka vrau dy ushtarë amerikanë në Frankfurt të Gjermanisë. Ai tashmë është dënuar me burg të përjetshëm.

Arid Uka gjatë procesit gjyqësor në Frankfurt në vitin 2012.



Arid Uka nuk i kishte rënë pothuaj askujt në sy si fanatik islamik. Ndonëse ai mbante kontakte me ekstremistë fetarë në Frankfurt dhe rrethinë, radari i autoriteteve gjermane të sigurisë nuk e kishte regjistruar radikalizimin e djalit me origjinë nga Mitrovica. Më 2 mars 2011 Arid Uka, pas një nate pa gjumë, pas javëve të kaluara në depresion dhe faqe radikale islamike në internet, pasi kishte «ushqyer» veten me propagandë islamike dhe ishte ndikuar nga një predikues urrejtjeje nga Maroku, pra më 2 mars 2011, një ditë dimri, Arid Uka futi kufjet e iPod-it në veshë dhe mori rrugën drejt aeroportit të Frankfurtit. Ndërsa shkonte në aeroport ai dëgjonte këngën e një reperi radikal: «Muxhahid, vrapo, muxhahid lufto! Shiko si vdes e digjet qafiri. Allahu ka premtuar se fitorja do të vijë». (Ndërkohë autoritetet gjermane kanë ndaluar disa këngë të reperëve që me arsenalin e tyre muzikor ndikojnë në radikalizimin e të rinjve në Gjermani).

Më të arritur në aeroportin e Frankfurtit, Arid Uka iu afrua një autobusi të ushtrisë amerikane. Ushtarët në autobus do të shkonin në bazën e ushtrisë amerikane në Ramstein. Nga kjo bazë në vitin 1999 ushtria amerikane kishte organizuar një pjesë të rëndësishme të aktiviteteve për çlirimin e Kosovës nga pushteti kriminal i Beogradit. Uka, i armatosur me një revole, u përpoq të hyjë në autobus. Para s të hapte zjarr (me 9 plumba) ai brohoriti: «Allahu akbar». Bilanci tragjik: dy ushtarë amerikanë të vrarë, dy të plagosur rëndë. Arid Uka hyri në histori si autor i aktit të parë terrorist islamik në Gjermani. Ai u arrestua nga policia gjermane.

Katër muaj pas krimit Uka u akuzua për vrasje – i shtyrë nga motivet e ulëta. I radikalizuar kryesisht në internet, i mbushur me urrejtje kundër ushtrisë amerikane që po luftonte në Afganistan dhe Irak, Uka vendosi të vrasë. Në fillim të shkurtit të vitit 2012 një gjykatë në Frankfurt i shqiptoi Arid Ukës dënimin më të lartë që parashikon ligji gjerman: burgim të përjetshëm. Gazetarët gjermanë që kanë përcjellë procesin gjyqësor, theksojnë se Arid Uka e kishte pranuar vendimin e gjykatës pa ndonjë emocion. Kur kreu krimin Uka ishte 21 vjeçar, ndërsa viktimat e tij Nicholas J. Alden dhe Zachary Cuddeback, 25 përkatësisht 21 vjeçar. Vrasja e dy ushtarëve amerikanë në Frankfurt kishte tronditur opinionin shqiptar në Kosovë.

Gjatë procesit gjyqësor kundër Arid Ukës u konstatua se për shkak të problemeve psikike ai shpesh kishte munguar në shkollë, pastaj ishte larguar nga gjimnazi, por për këtë nuk u kishte treguar prindërve të tij. Në një ekspertizë të psikiatrit të njohur Norbert Leygraf, e cila u prezantua në proces, theksohej se Arid Uka ishte keqpërdorur seksualisht në moshën 7-vjeçare.