Kosovarëve po u ikën koha për të arritur norma olimpike




Sa më shumë që po afrohet Olimpiada, aq më të vogla po bëhen gjasat që Kosova të fitojë norma olimpike në më shumë se një sport.

 

Në shumicën e sporteve, në të cilat Kosova shpreson për normë, kanë mbetur edhe nga një apo dy ngjarje ku mund të sigurohet norma olimpike për «Rio 2016».

Lojërat e ardhshme Olimpike verore mbahen prej 5 deri më 21 gusht të vitit të ardhshëm në Rio de Janeiro të Brazilit. Kosova për herë të parë në Rio do të paraqitet në Lojëra Olimpike.

Gjasat më të mëdha janë që me normë në Rio të udhëtojnë vetëm xhudistet kosovare. Në sportet e tjera – boks, mundje, taekwondo, shenjëtari, shigjetari, atletikë, not, çiklizëm – gjasat që sportistët kosovarë të fitojnë normë janë tashmë të vogla.