«Kosovarët therin zviceranët»: Gjykata Federale e Zvicrës dënon politikanët popullistë për racizëm

Instanca më e lartë juridike e Zvicrës ka konfirmuar vendimin e Gjykatës së Lartë të Bernës, e cila i kishte dënuar për diskriminim racor të kosovarëve ish-sekretarin e përgjithshëm të Partisë Popullore të Zvicrës (SVP) dhe zëvendësen e tij. Zanafilla e kësaj afere gjendet në një restorant në qytetin Interlaken, ku një shqiptar i Kosovës kishte therur me thikë një pehlivan zviceran.




Në një ditë gushti të vitit 2011 dy zviceranë po pinin birrë në një restorant në qytetin Interlaken. Befas para lokalit u ndal një taksi dhe prej tij dolën dy kosovarë. Ata filluan t’i provokojnë zviceranët. Një dëshmitar i tha gazetës «Blick»: «Kosovarët bërtitën: Zviceranë muti! Qelbësira!». Njëri nga zviceranët e provokuar ishte K.Z., kampion i shumëfishtë në sportin tradicional zviceran Schwingen, një lloj pehlivanllëku alpin. K.Z. mori gotën e birrës dhe bëri sikur dëshironte t’ua lagte me pije kosovarët. «Atëherë», tha dëshmitari, «njëri nga kosovarët nxori menjëherë thikën dhe e theri K.Z. në fyt. Gjaku shpërtheu».

Kjo ngjarje pati pasoja të mëdha politike për komunitetin shqiptar në Zvicër. Partia Popullore e Zvicrës (SVP), e cila që nga fillimi i viteve ’90 ndjek një politikë të ashpër kundër të huajve, lansoi në mbarë Zvicrën pankarta me mesazhin: «Kosovarët therin zviceranët». Të enjten, siç pritej, Gjykata Federale e Zvicrës, e cila është instanca më e lartë juridike e vendit, njoftoi se ish-sekretari i SVP-së, Martin Baltisser dhe zëvendësja e tij, janë fajtorë për diskriminim racor të kosovarëve.

Me këtë afishe, sipas gjykatës, kosovarët u prezantuan si etni që është më e dhunshme se komunitetet e tjera të huaja, andaj nuk kishin të drejtë të qëndronin në Zvicër. Kështu e kishte kuptuar afishen lexuesi mesatar, nënvizon gjykata. Me këtë afishe ishte bërë fushatë kundër një grupi të tërë etnik. Kësisoj, gjykata hodhi poshtë argumentin e SVP-së se afishja i referohej vetëm një rasti individual. Vendimi u mor sipas vijës partiake: dy gjykatës të SVP-së humbën ndaj tre gjykatësve të partive të tjera.

Vendimi i së enjtes nuk paraqet ndonjë befasi. Në mars të vitit të kaluar Gjykata e Lartë e Bernës i kishte shpallur fajtorë dy zyrtarët e SVP-së për shkak të diskriminimit racor. Ata u dënuan me kusht me gjobë (45 mëditje nga 300 franga, përkatësisht 220 franga).

Eksponenti i SVP-së Martin Baltisser tha se ishte i dëshpëruar nga dënimi, pasi që, sipas tij, kështu kufizohet liria e shprehjes. Megjithatë, Baltisser tha se nuk do ta çonte lëndën në Strassburg në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut. Kjo qëndrim i përgjigjet linjës partiake të SVP-së, e cila prej vitesh zhvillon fushata të egra kundër «gjyqtarëve të huaj», të cilët gjoja lejohen të ndërhyjnë në punët e Zvicrës. Fjala është për gjykatat europiane. Baltisser tha se me afishen e tij vetëm kishte përshkruar «realitetin». Ai tha më tutje se SVP edhe në të ardhmen do të flasë qartë dhe ky dënim nuk do të ketë ndikim në fushatat e ardhshme. (-lli)