Kosovarët të pestët për nga numri i kërkesave për azil

Shqipëria vijon të mbetet në tri vendet e para për numrin e azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian edhe në tremujorin e dytë të vitit 2015, pas Sirisë e Afganistanit me 8% të numrit të kërkesave për azil në vendet e BE-së. Kosova është e pesta me pjesëmarrje 5%, me gjithë 21% të kërkesave që vijnë nga shtetas të Sirisë dhe 13% të Afganistanit. Para Kosovës janë edhe shtetasit e Shqipërisë dhe ata të Irakut (6%).




“Me 17.700 aplikime të reja gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015 (ose 8% e totalit të aplikimeve në BE”, Shqipëria renditet e treta”, shkruan Eurostat, ku pothuaj se 90% e tyre kanë aplikuar në Gjermani. Por sipas shifrave të publikuara nga Eurostat bie në sy ulja e numrit të azilkërkuesve nga Kosova.

“Kosovarët ishin në krye të kërkesave për azil për herë të parë në tremujorin e parë të vitit 2015, por tashmë kërkesat e tyre janë ulur pothuajse në 10.000 persona në tremujorin e dytë”, citon Eurostat, shkruan sot Koha Ditore.

Gjithsesi, shifrat e Eurostatit janë kontradiktore me ato të Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë. Ministria e Brendshme Gjermane ka bërë publike në mesin e muajit korrik, shifrat e gjysmës parë të këtij viti për numrin e azilkërkuesve në këtë vend. Sipas kësaj ministrie, Shqipëria renditet e treta për numrin e azilkërkueseve ku për periudhën 6-mujore kërkuan azil në Gjermani 22.209 persona nga Shqipëria, duke u renditur në vendin e tretë.

Ndërkohë që sipas Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria në vendet e BE-së është 17.700 persona ku 90% e tyre kanë aplikuar në Gjermani. Kështu që i bie që numri i aplikimeve sipas Eurostat të jetë 15.930 persona, apo 6.279 persona më pak se sa ato të publikuara nga Ministria e Brendshme Gjermane. Megjithatë shtetet e BE-së janë duke u përballur me një numër gjithnjë e në rritje të emigrantëve edhe në tremujorin e dytë dhe 1/3 janë nga Siria e Afganistani.

Sipas shifrave të publikuara, pothuajse 1 në 3 azilkërkues kanë aplikuar në Gjermani. Nisur nga numri në rritje i azilkërkuesve shqiptare në Gjermani, pala shqiptare dhe ajo gjermane po intensifikojnë përpjekjet në luftën kundër migracionit të paligjshëm. Që prej datës 16 korrik 2015 janë vendosur në Kakavijë dhe Kapshticë 12 punonjës të Policisë Federale, të cilët mbështesin me konsulencë kolegët shqiptare në mënyrë të veçantë gjatë mbikëqyrjes dhe kontrollit në kufi me qëllim evitimin e migracionit ilegal dhe krimit ndërkufitar.