Kosovarët po «i duan» gjithnjë e më shumë rrobat e dorës së dytë

Tash e disa vite, Fatime Jashari po e udhëheq biznesin e saj dhe thotë se po ecën mjaft mirë, raporton KTV.




«Breca» është bërë një pikë e njohur në kryeqytet, për veshmbathjet e përdorura që importohen kryesisht nga Gjermania.

Por, kur blejnë e vishen me rroba që kushtojnë nga 2 a 3 euro, kosovarët nuk duan që të tjerët ta dinë këtë gjë, derisa nuk pranojnë të filmohen kur janë në një dyqan të tillë.

Megjithatë, sipas udhëheqëses, të gjithë janë duke blerë rroba të dorës së dytë, e kjo shkaku që janë më kualitative se ato që importohen nga vende si Turqia.

Biznese të tilla hasen thuajse në çdo rrugicë të kryeqytetit, pasi që veshmbathje dhe artikuj të tjerë të përdorur, në vende të BE-së blihen me tonelata në çmime të lira, për t’u importuar më pas në vendin tonë.

Vetëm në tre vjetët e fundit, në vendin tonë kanë hyrë 2100 tonë veshmbathje të përdorura.

Në vitin e kaluar, ishte importuar më së shumti, gjithsej 850 tonë, derisa deri në muajin gusht të këtij viti, janë importuar 577 tonë veshmbathje të përdorura, përcjell koha.net. Sipas të dhënave të doganës, vlera e mallit të importuar arrin në 2 milionë e 640 mijë euro.